Eksodi i shqiptarëve vijon prej 32 vitesh… vendi rrezikon të “dalë në pension”

Numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e BE-së dhe Britani, është më i lartë se ai i vendeve në konflikt si Afganistani, Irani dhe Iraku. Madje edhe ukrainasit që janë në luftë vijnë pas Shqipërisë në numrin e kërkesave për azil.

“Krahas kësaj do të kemi parasysh edhe diçka tjetër që në rast se emigrojnë të kualifikuarit edhe të arsimuarit pjesa tjetër e popullsisë që nuk ka kualifikimin e nevojshëm dhe nuk ka arsimimin e nevojshëm kjo merr një formë tjetër e emigrimit që merr formën e azilit. Nga 2013 deri më tani mund të jenë rreth 220 mijë shqiptarë që kanë kërkuar azil për herë të parë në vendet e Europës perëndimore dhe që pas saj janë kthyer meqenëse nuk janë pranuar kërkesa për azil. Pra si të thuash grupe të ndryshme të shoqërisë që janë të kualifikuar ose të pakualifikuar synojnë të emigrojnë”, shprehet për emisionin “Vetting” drejtuesi i qendrës për shërbime sociale, Ilir Gëdeshi.

Me shifrat në rritje të emigracionit, Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një vend ku dominon mosha e tretë. Sipas shifrave të fundit për vitin 2022, rezulton se ky kontingjent, pra mosha e tretë është mbi 620 mijë njerëz që do të thotë ¼ e gjithë popullsisë së vendit tonë. Me ritmet e ikjes, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend ku shumica e banorëve do të jenë pensionistë, plus punonjësit e administratës publike plus një grusht militantësh politikë. Qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, që po përpëliten mes krizës ekonomike, ndoshta kanë planifikuar ikjen, në mos për veten e tyre, për fëmijët. Shumica e shqiptarëve tashmë jetojnë jashtë Shqipërisë. Shpopullimi vazhdon…

/abcnews.al/

Lexo me shume