EMRI-FOTO/ Udhëtimi i fundit i 23-vjeçarit shqiptar me shokët që u kthye në tragjedi

Një 23-vjeçar shqiptar, i lindur në Greqi dhe banues në Itali humbi jetën në mënyrë tragjike ditën e djeshme pas një aksidenti rrugor.

Luka Cifci udhëtonte së bashku me 3 shokë të tij. Makina, e cila drejtohej jo nga ai, doli nga rruga në një rreth-rrotullim dhe u përplas me barrierat anësore. Por përplasja ishte shumë e fuqishme për 23-vjeçarin, saqë trupi i tij ka dalë nga makina pasi u thyen xhamat.

Ngjarja ndodhi në vendin e quajtur Strozzacapponi, në kufirin midis komunave Corciano dhe Perugia.

Sipas medieve italiane, ky rreth-rrotullim është skenë e  shumë aksidenteve dhe shumë vdekjeve.

Shkak i ngjarjes, sipas karabinierëve dyshohet se ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonin të rinjtë.

Tre djemtë që ishin me Lukën u plagosën lehtë, u transportuan në Santa Maria della Misericordia për hetime.

Prokuroria ka nisur po ashtu hetimet për të zbuluar nëse shoferi ishte nën efektin e alkoolit apo drogës në momentin e aksidentit.

I riu shqiptar punonte si kuzhinier në një restorant, por ditët e fundit ishte mbyllur për shkak të festave. 23-vjeçari lindi në Athinë të Greqisë, por prej 10 vitesh banonte në Castiglione del Lago.

Në rrjetet sociale kanë qenë të shumta reagimet për ndarjen nga jeta të 23-vjeçarit. Luka Cifci njihej dhe respektohej shumë në zonën ku punonte si kuzhinier./Abcnews.al/ 

Lexo me shume