Erion Veliaj: Jam më i vendosur se kurrë që të mos ndalem nga një minorancë e zhurmshme_6639fa37a137e.jpeg

Erion Veliaj: Jam më i vendosur se kurrë që të mos ndalem nga një minorancë e zhurmshme

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka mohuar të ketë pasur një takim me Shkëlzen Berishën. Duke folur në “Real Story” me Sokol Ballën, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se qytetarët shqiptarë e kanë të qartë se kush punon për ta çuar përpara qytetin dhe ata që pengojnë.
“Kjo është aq e vërtetë sa të them unë që sot po bie borë, edhe po bie shi, ndërkohë që po shndrit dielli. Njerëzit në këtë qytet i njohin të gjithë. Njohin kush sajon, kush punon. Kush pengon, kush çon projektet përpara. Kush vendos një gjobë dhe kush do të avancojë kauzën e qytetit të modernizuar. Në finale, unë besoj që veprat do mbeten. Ajo që kemi bërë, kjo Piramida këtu, do mbetet, ai sheshi atje do mbetet, ai bulevardi atje do mbetet, Astiri do mbetet, të 40 shkollat do mbeten të 101 kopshtet dhe çerdhet do mbeten. Po afrojnë zgjedhjet e tjera, sondazhet Sali Berishën e tregojnë kovë pusi, partickat e tjera që kanë mbetur nga ajo Parti Demokratike e famshme, janë tretur me kohë kështu që e kuptoj hallin që I ka zënë se duhet të prodhojnë me zor një kauzë, me 50 veta me molotov. Edhe kjo është e drejtë e tyre, I tregojnë turistë që ky është një qytet që po ecën përpara, që ka progress që ka njerëz që punojnë dhe sakrifikojnë por ka edhe njerëz që mendojnë ndryshe dhe mendimi ndryshe duhet respektuar, sigurisht jo me dhunë”, tha ai.
Veliaj u shpreh se PD fshihet pas Aleancës për Teatrin duke sulmuar me molotov një godinë që është vërtet monument kulture sikurse godina e Bashkisë së Tiranës. “Një parti si PD, që nuk ka patur kurrë komplekse, fshihet pas fustanit të Aleancës për Teatrin, kjo është një fyerje e madhe. Dhe të thuash që je për monumentet e kulturës dhe je gati që të djegësh një monument kulture, se Teatri nuk ishte as në kohën e Saliut as në kohën tonë monument kulture, Bashkia e Tiranës është pjesë e kompleksit dhe është monument kulture. Kur ti i hedh Molotov një monumenti kulture do të thotë se po djeg edhe fustanin pas së cilës je fshehur, që është Aleanca për Teatrin”, shtoi ai.
Teksa foli për stërkëmbësha në projektet për qytetin nga opozita, Veliaj tha se minoranca sa më e vogël bëhet, aq më e dhunshme dhe penguese kthehet. Ai shprehu vendosmërinë e tij dhe të kësaj mazhorance për të vijuar pa u ndalur.
“Stërkëmbëshi është ajo në na ka ndodhur në Kombinat ku LSI ose ish lidershipi i LSI që tani është larguar nga ajo parti, na çoi në 20 gjyqe. Ato njerëz patjetër nuk janë pa shtëpi sot, paguhet qiraja nga Bashkia e Tiranës, por është mëkat që nuk e kemi mbaruar më shpejt prej një stërkëmbëshi që na u vu në mënyrë ligjore. Një tjetër ishte te ‘5 Maji’, pra duke i përdorur njerëzit si mish për top. Jam më i vendosur se kurrë që të mos ndalem. Të mos ndalem nga asnjëri prej këtyre, sepse besoj që I kemi treguar jo vetëm në kuti të votimit, por tre fitore në qeverinë qëndrore dhe në qarkun e Tiranës, dhe tre fitore në Bashkinë e Tiranës, janë një përgjigje që shumica e heshtur, njerëzit e ndershëm, njerëzit e drejtë, ata që e dinë që të punosh në këtë vend është një sfidë e jashtëzakonshme dhe kërkon një sakrifikim, janë me ne. Dhe për sa kohë që kemi këtë shumicë, nuk shoh asnjë arsye as të ulim ritmin as të ndalojë betejat”, deklaroi Veliaj.

Burimi