Festa e PD-së: Basha godet me “sasi”, Berisha me “cilësi”_663a3877e19d8.jpeg

Festa e PD-së: Basha godet me “sasi”, Berisha me “cilësi”

Dy gjysmat e PD-së, ajo zyrtare Basha dhe ajo rithemeluese Berisha, organizuan ceremoni të ndara për 33-vjetorin e themelimit.
I pari e kishte organizmin më potent, te salla e Pallati të Kongreseve, duke e mbushur atë si “tregues muskujsh”.

Basha ju përcolli një ftesë atyre të kahjes tjetër, duke u thënë:
“Ejani jepni kontributin tuaj të çmuar ashtu sikurse e keni dhënë në vitet e para të pluralizmit dhe në këto 33 vite”.

Paralel, ai shpotiti rëndë Berishën dhe ndjekësit e tij.
“E di që një pjesë e jona sillet akoma rrugëve, e trembur nga dora e drejtësisë. E di që shumë qytetarë pyesin e kujt është PD. Është partia e rinisë europiane shqiptare. Në këtë datë, pesha e ngjarjeve që kemi përjetuar ka lënë gjurmë tek ne”, tha ai me patetizëm politik.

Nga ana tjetër, organizimi i Berishës ra në sy për praninë e të bijës, Argitës, e cila ditë më parë mbajti një fjalim tipik politik, duke parathënë pasimin e të atit, por dhe për pjesëmarrjen aty të Neritan Cekës, të parit të larguar nga PD-ja e sapothemeluar në ‘91-shin, për mospajtim me Berishën. Ceka ishte aty me Imamin, një tjetër antiberishist që s’a arriti kurrë të ketë një profil bindës politik, duke patur zig-zage të çuditshme në karrierë politike.

Kështu, ky përvjetor i PD-së ishte njëherësh dhe një festë vetëdiskretituese për vetë ndarjen në dy gjysma të partisë më të madhe opozitare, e cila e ka çuar dhe në një krizë të rëndë elektorale. /tesheshi.com/