Fiks Fare/ “Noteri dhe ndërtuesi më shitën apartamentin 2 herë”, prokuroria mban 2 vjet dosjen në sirtar!

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes një skandal me shitjen e apartamenteve dy herë. Në redaksinë e emisionit investigativ u ankua një qytetar, i cili thotë se ka bërë punime në një pallat në Golem dhe si shkëmbim ka bërë kontratë për t’u paguar me një apartament.

Ka bërë kontratë noteriale para noterit Frederik Tengu. Por, dy vite më pas, në vitin 2020, ka shkuar te pallati dhe ka parë që në apartamentin e tij ishte dikush tjetër, madje kishte vendosur edhe një derë të blinduar.
“Kam bërë kallëzim në vitin 2020 për shitjen e një apartamenti dy herë në Golem” thotë Luan Çullhaj. Më tej pohon se ka lidhur kontratë para noterit Frederik Tengu në Kavajë për të marrë një apartament, me nr.6 në Golem, në këmbim të disa punëve që do të bënte si nënkontraktor. “Kontratën e kam bërë në vitin 2018. Kam shkuar në vitin 2020 dhe kam parë që në të njëjtin apartament ishte vendosur një derë tjetër. Është shitur dy herë” vijon qytetari.

Më tej shton se kontratën e ka bërë me z.Ardian Idrizaj, i cili ishte pronar i firmës “Eri 2015” që do bënte edhe pallatin. Denoncuesi ka shkuar në polici dhe prokurori, por Prokuroria e Kavajës ia ka pushuar, duke deklaruar se është çështje civile mes palëve. E ka kundërshtuar dhe, Gjykata e Kavajës, ka urdhëruar prokurorinë të hetojë për mashtrim.
“Por, nga viti 2020 deri në ditët e sotme, prokuroria nuk ka bërë asnjë veprim. As te noteri, i cili rezulton se ka bërë një tjetër kontratë apo edhe te bashkëortaku i firmës ‘Eri 2015’. Adrian Idrizaj, është në burg por jo për shitjen e apartamentit por për një çështje droge” thotë qytetari, duke pohuar se disponon edhe një dokument, ku rezulton se bashkëortaku i Idrizajt është një tjetër ndërtues, Bujar Turku. “Por, as ky person nuk është marrë nën hetim, i pandehur apo me masë tjetër sigurie” përfundoi denoncuesi.
Pas pretendimeve, qytetari shkoi në Prokurorinë e Kavajës dha takoi Oficerin e Policisë Gjyqësore Adrian Elezi. Në bisedë, OPGj i thotë se kanë bërë disa verifikime, por s’kanë marrë asnjë vendimmarrje, pasi ende s’kanë konkluduar. Më tej i shton se “pse do t’i futësh në burg të gjithë, merru me çështjen tënde”. Por, në fund, oficeri pranon se “apartamenti është shitur dy herë”.  Qytetari shkon më pas të takojë noterin Frederik Tengu. Edhe noteri i thotë se “ti je blerësi i parë”, duke pranuar se ai apartament është shitur dy herë.
Sipas qytetarit, duke u bazuar në një kontratë noteriale, pronar me 50 % te aksioneve te shoqërisë “Eri 2015” është z.Bujar Turku. Qytetari takon Bujarin, duke i kërkuar që të zgjidhë çështjen. “Ke bërë gabim që e ke çuar emrin tim në prokurori” i thotë Bujari denoncuesit, ndërsa edhe ai pranon se “tani u vërtetua që është shitur dy herë”.
Të gjithë kanë dijeni se apartamenti është shitur dy herë, por askush nuk vepron. Gazetarët e Fiks Fare takojnë noterin Frederik Tengu, i cili thotë se “skicat janë gabim”. Më tej ai thotë se janë dy kontrata, por “s’mban përgjegjësi për skicat, pasi ato duhet t’i bëjë inxhinieri i firmës”. Por, ai pranon se nuk ka një planimetri të të gjithë pallatit dhe se kontratat e porosisë, në atë kohë, nuk ishin regjistruar në Kadastër.
Fiksi u interesua edhe në Prokurorinë e Kavajës, duke i pyetur se përse çështja ka mbetur “në sirtar” për gati dy vitesh. Madje, nuk ka asnjë masë shtrënguese, apo të pandehur,
Deri në transmetimin e këtij investigimi, Prokuroria e Kavajës, nuk ktheu një përgjigje. Gjithsesi, Fiks Fare ka mësuar se pas interesimit, kjo akuzë ka filluar të ri pyesë të gjitha palët.
Qytetari takon noterin Frederik Tengu, Kavajë
Denoncuesi – Për hyrjen time që është shitur dy herë.
Noteri – Po, ëhë?
Denoncuesi – Tani, isha te prokurori…
Noteri – Ulemi dy minuta se ka zhurmë.
Denoncuesi – Këtë hyrjen është shitur dy herë.
Noteri – Po.
Denoncuesi – Ai më tha (OPGj) më ka sjellë letrat noteri dhe s’përputhen metri katrorë.
Noteri – Vetëm ka skicat gabim ajo se e mbaj mend unë që atëherë…
Denoncuesi – Po pra, ajo është shit?
Noteri – Skicat gabim i ka pronari…
Denoncuesi – Jo skicat, është shit! Është shitur hyrja dy herë.
Noteri – Pronari ka sjellë skicat gabim.
Denoncuesi – Mua më kanë ardhur, më kanë vunë derë të blinduar aty, e kanë mbyll derën e shtëpisë.
Noteri – Shumë gabim ai që ka ardh.
Denoncuesi – Kam çel punimet, mos mi bëni se do ti bëjë vetë.
Noteri – Mbas teje është shitur ajo!
Denoncuesi – S’e di unë, para meje apo pas meje. Se di.
Noteri –S’ka të drejtë, se ti ke letrat përpara le ta zgjidhë ai.
Denoncuesi – Kush ta zgjidhë?
Noteri – Ai të vetën. Se ti ke të drejtë se e ke blerë përpara.
Denoncuesi – E kam blerë unë përpara?
Noteri – Eee.
Denoncuesi – Po s’e di unë që e kam blerë përpara, ku e di unë, mos e ka blerë ai tjetri para meje. I bie unë të dal 0. Edhe me pas blejë unë i pari përse të rri unë të sillem në gjyq tani me atë tjetrin që të marrë atë.
Noteri – Normal, të sillet ai me Ardianin. Ti s’ke lidhje.
Denoncuesi – Unë tani kërkoj pse mu ka shit hyrja dy herë se kam ardhur edhe herë tjetër.
Noteri – Ëhëë.
Denoncuesi – Ka dy vjet që rri çështja atje (në Prokurorinë e Kavajës). Se di, ke fut mik ti, Bujari (aksioneri tjetër), Ardiani.
Noteri – S’di gjë.
Denoncuesi – Që rri dosja atje 2 vjet është një gjë këtu.
Noteri – Tani problemi është këtu, Ardiani do të dali nga burgu dhe ai duhet të përgjigjet ty.
Denoncuesi – Ty duhet të të hiqet e drejta e licencës.
Noteri – Po mirë, këtë, këtë ça kërkon nga unë njëherë?!
Denoncuesi – Unë kërkoj pse mu ka bërë kjo padrejtësi që është shitur dy herë.
Noteri – Se ta ka bërë Ardiani vetë nëse nga skica ore…
Denoncuesi – Jo një sekondë, Ardiani …
Noteri – Po kush e shet pronën?
Denoncuesi – Një sekondë, Ardiani është administrator i objektit.
Noteri – Kush i shet pronën.
Denoncuesi – Ardiani do ta shesë pallatin 10 herë. Ti je ai që s’duhet ta shesësh!
Noteri – Jo, jo, jo.
Denoncuesi – Ardiani s’është noter, prandaj vjen te noteri.
Noteri – Jo, jo, jo ky e shet vetëm njëherë. (Ngrihet nga kolltuku). Po s’ka dalë tapia për këto.
Denoncuesi – Shitjet (të dyja) janë bërë te i njëjti noter.
Noteri – Po mirë, jam unë … Skica që ka sjellë ai.
Denoncuesi – Po mirë kjo hyrja…
Noteri – S’të sqaroj dot s’e e kemi diskutuar.
Denoncuesi – Nëse ti e shet këtë.
Noteri – Jo unë, e shet pronari.
Denoncuesi – Pronari, po ti ke projektin.
Noteri – Jo, s’kam projekt fare unë. Skicën që ma servir ti, pronari.
Denoncuesi – Ligji është këtu që çdo objekt, shitjen bëhen te i njëjti noter që mos të bëhen gabime.
Noteri – Jo, jo, jo. S’mbaj unë projekt. Është manovrimi i tij (i pronarit të firmës), ka prurë skicë tjetër
Denoncuesi – S’e di unë, s’e di! S’e di unë si e ka bërë.
Prokuroria Kavajë, qytetari takoi OPGj-në e çështjes Adrian Elezi
Denoncuesi – Jam Luani që kena fol, të shkruajta dje, që jena taku. Desha me të pyet për Bujarin (aksionarin tjetër), fole gjë, si e bëne?
Adrian Elezi – ja kam mbajtur një procesverbal. Ai më tha mua që ç’rëndësi ka kjo, unë as kam firmos, as kam bo. E kam mo e kam aty 50 me 50 %, apo s’është ajo?
Denoncuesi – Po, ee. As për Bujari s’është marrë masa, as për Frederikun noterin, për asnjërin. Tani jam vetëm unë.
Adrian Elezi – Dëgjo U zvarrit se ajo kosovarja duhet të deklarohet edhe këtu. Atë s’e gjejmë.
Denoncuesi – Këtu është noteri
Adrian Elezi – Më dëgjo, ti më dëgjo mua imë që ke ardhur te mua. Noteri është, ma ka prurë të gjithë dokumentet. Numri i pasurisë tate nuk korrespondon. Po fakti është se ai e ka shitur dy herë.
Denoncuesi – Unë i shkova noterit, shih si i kam shkruajt.
Adrian Elezi – Mbylle derën. Imën ti do ta zgjidhësh problemin apo do të çosh në burg atë imë.
Denoncuesi – Nuk dua të çoj në burg asnjë.
Adrian Elezi – Prit njëherë, ulu qetësohu. Unë diskutova me prokurorin, do ta çojmë në gjyq thotë. Të hyj tani brenda është dënuar, 3 vjet.
Denoncuesi – E mora vesh.
Adrian Elezi – Prit njëherë të mbaroj, ti do të zgjidhësh punë apo do të zgjidhësh…
Denoncuesi – Dua të mbaroj punë.
Adrian Elezi – Imën unë dua të bëj një marrëveshje, në qoftë se i ka hyrë ujti nën rrogoz për mua ai duhet të dënohet me 3 vjet. Por në qoftë se ti do të marrësh paret, mundohu të marrësh paret.
Denoncuesi – Unë nuk dua Ardianin, dua noterin që ka bërë shkelje, Bujarin që është aksioner 50 me 50.
Adrian Elezi – Atë e gjykoj unë.
Denoncuesi – I kam përmend emrat e këtyre të treve dhe për këta s’është marrë asnjë lloj mase.
Adrian Elezi – S’kemi mbaru neve. Ardiani do iki se është mbyt. Ardiani s’del nga burgu.
Bisedë me z.Bujar Turku, aksioner me 50 % te firma “Eri 2015”
Denoncuesi – Ça do bëjnë tani për t’i dhënë zgjidhje këtij muhabeti?
Bujar Turku – Në qoftë se do me e rregullu, do më lësh ca ditë kohë edhe unë dhe ti tani.
Denoncuesi – Isha te prokurori, isha te Fredi (noteri). Edhe shitjet janë bërë te ai, a janë bërë te ai (noteri) shitjet?!
Bujar Turku – Dëgjo, të gjitha aty janë bërë.
Denoncuesi – Unë i thashë (noterit) kam bërë kallëzim për ty, për Ardianin dhe me thënë të drejtën kam vunë dhe emrin tat (Bujar Turku) se kam parë letrën që je 50 % me 50 % me atë.
Bujar Turku – Emrin tim ke bërë gabim ti njëherë se s’kishe pse e vije fare.
Denoncuesi – Tani kam 3 vjet, 4 vjet që u bë ky muhabet.
Bujar Turku – Me përmend emrin tim s’e gjen prapë drejtimin.
Denoncuesi – Të kam pyet ty është shitur hyrja ime më the jo. Ka rënë në burg ai (ndërtuesi).
Bujar Turku – Jo, ka rënë në burg ai. Nuk e dija, nuk e dijsha.
Denoncuesi – Po pra, po ajo (apartamenti) është shit. Po s’e dijshe, e vërtetove, pse nuk më erdhe me m’thënë vetë?
Bujar Turku – E vërtetova. Tani e vërtetova unë.
Denoncuesi – Po ka 3 vjet, tani u vërtetua ajo?
Bujar Turku – Tani u vërtetua ajo. Edhe tani aksioner jam me letra unë. Jo se jam faktike.
Denoncuesi – Me letra pra! Ore tani, pavarësisht se Ardiani se ka shkrujt te QKB-ja, ti me shku në çdo noteri ajo letra del që ti je aksioner.
Bujar Turku – 50 me 50 % jemi të barabartë!
Denoncuesi – Po pra. Unë për Zotin i kam bërë letrat.
Bujar Turku – Emrin tim ti s’ke pse e përmend njëherë.
Denoncuesi – O Bujar…
Bujar Turku – S’ke pse e përmend!
Denoncuesi – Unë kur kam ardh ate (te pallati) më me çu ti.
Bujar Turku – Po pra.
Denoncuesi – Më ke dalë ti aksioner prandaj e kam çu emrin aty.

FOTO GALERI
1/10

Top ChannelLexo me shume