Fillimi i fundit të Republikës Islamike të Iranit

Nga Masih Alinejad “Foreign Affairs

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Protestat aktuale në Iran po i bien ziles së vdekjes së Republikës Islamike. Vrasja në ambientet e paraburgimit nga policia e 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila u arrestua për veshjen në mënyrë të gabuar të hixhabit, ka shkaktuar një valë demonstratash të mëdha dhe të përgjakshme, bojkote, greva në punë që i kanë lodhur forcat e sigurisë.

Ato janë përhapur në më shumë se 100 qytete. Qeveria është përballur edhe më parë me protesta të mëdha, veçanërisht në vitet 2009, 2017 dhe 2019. Por demonstratat aktuale janë ndryshe. Pasi ato mishërojnë zemërimin që ndjejnë gratë dhe të rinjtë iranianë në një regjim që kërkon të mbysë dëshirat e tyre më të dashura.

Dhe ata premtojnë të përmbysin regjimin aktual. Që nga revolucioni i Iranit 1978-1979, Republika Islamike i ka konsideruar gratë si qenie njerëzore të dorës së dytë sipas Sheriatit dhe kufizimeve të kushtetutës iraniane. Por grave, sidomos atyre më të reja në moshë, u është sosur durimi, dhe tani po e refuzojnë vullnetarisht kërkesën për të mbajtur hixhabin, bashkë me rendin shoqëror që Republika Islamike po i imponon vendit prej më shumë se 4 dekadash.

Disa gra i kanë djegur publikisht shamitë e tyre, një akt që deri 2 muaj më parë dënohej me rrahje me kamxhik dhe me burg, por që tani nuk është një akt aq i rrallë në qytetet iraniane.

Thuhet se revolucionet i hanë në fund bijtë e tyre. Por në Iran janë nipërit, ata që po e  gllabërojnë revolucionin.

Klerikët në Iran i janë përgjigjur kësaj sfide ekzistenciale me një forcë brutale. Por dhuna dhe represioni nuk do të shuajnë vullnetin e një kombi kaq të ngritur kundër qeverisë së tij.

Republika Islamike mbështetet mbi 3 shtylla ideologjike: kundërshtimin e fortë ndaj Shteteve të Bashkuara, antagonizmin e turpshëm ndaj Izraelit dhe tek një mizogjini institucionale, veçanërisht në formën e rregullave të detyrueshme të hixhabit, që kërkojnë nga gratë mbajtjen e shamisë në hapësira publike.

Në rast se dobësohet ndonjëra nga këto shtylla, atëherë bie e gjithë ngrehina e Republikës Islamike. Teherani ka nevojë për një armiqësi të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për të mbajtur gjallë flakën e revolucionit të dikurshëm. Anti-amerikanizmi është bërë pjesë e identitetit të Republikës Islamike.

Zbatimi i kodit të veshjes për gratë është një “vijë e kuqe” për udhëheqjen klerikale. Veshja e detyrueshme e hixhabit nga gratë, është për Republikën Islamike ajo që ishte Muri i Berlinit për komunizmin: një simbol jo vetëm i fuqisë dhe qëndrueshmërisë, por edhe i cënueshmërisë. Por Muri i Berlinit ishte gjithashtu një pranim i brishtësisë së sistemit komunist, i cili varej nga ushtrimi i kontrollit të fortë mbi njerëzit. Ngjashëm, ligjet e detyrueshme mbi mbajtjen e hixhabit pasqyrojnë frikën e Republikës Islamike për t’i lejuar qytetarëve të saj liritë personale, dhe synimin e saj për të kontrolluar shoqërinë duke i trajtuar gratë sikur ato të jenë një pronë që duhet mbrojtur.

Sapo ra Muri i Berlinit, edhe komunizmi ishte i destinuar të shembej. I njëjti fat e pret edhe Republikën Islamike, pasi gratë të kenë mundësi të heqin hixhabin e tyre dhe të marrin pjesë në jetën shoqërore ashtu si burrat. Republika Islamike nisi të zbatonte kodet e veshjes për gratë menjëherë pas përfundimit të Revolucionit Iranian.

Arkitektët e shtetit revolucionar donin të kontrollonin se si visheshin gratë në publik, duke ua ndaluar veshjet e ngushta, ngjyrat e ndezura dhe grimin, teksa këmbëngulën që ato të mbulonin flokët e tyre. Sipas ligjeve të detyrueshme të mbulimit, gratë dhe vajzat detyrohen që në moshën 7-vjeçare të mbajnë shami.

Gratë që nuk binden dakord me këtë rregull përballen me dënime të ashpra, dhe akuzohen shpesh për “nxitje të korrupsionit dhe prostitucionit”. Shteti iranian ka dënuar jo pak gra me burg – deri në 16 vite- përfshirë aktivisten Yasaman Aryani dhe nënën e saj, Monireh Arabshahi, vetëm për kundërshtimin e këtyre ligjeve.

Por qindra gra të tjera e kanë paguar dhe vazhdojnë ta paguajnë këtë kosto vetëm pse  kërkojnë lirinë për të zgjedhur se si të vishen. Gratë iraniane nuk e kanë pranuar kurrë në heshtje vendosjen e shamisë. Vetëm në vitin 2014, sipas shifrave të qeverisë, e ashtuquajtura policia morale e Iranit (e ngarkuar për respektimin e standardeve morale islame) paralajmëroi, gjobiti dhe arrestoi 3.6 milionë gra për “veshje të papërshtatshme”.

Të dhënat për vitet e mëvonshme nuk janë bërë publike, ndoshta sepse do të zbulonin shkallën e lartë në të cilën gratë iraniane po rebelohen ndaj kufizimeve të rrepta mbi veshjen e tyre. Edhe para vdekjes së Amini, klerikët iranianë e ndjenin valën e revoltës në rritje kundër hixhabit.

Në fillim të korrikut të këtij viti, policia e moralit i paralajmëroi gratë se do të arrestoheshin nëse nuk respektonin rregullat e mbajtjes së hixhabit. Zyrtarët iranianë kanë përdorur pamjet nga kamerat e vëzhgimit në vendet publike si metrotë dhe autostradat, për t’i ndihmuar në identifikimin dhe gjobitjen e grave që shkelin rregullin e detyrueshëm të hixhabit.

Shefi i Shtabit për Urdhërimin dhe Ndalimin e së Keqes, një organ qeveritar përgjegjës për zbatimin e ligjeve islamike, paralajmëroi në gusht se gratë që postojnë në rrjetet sociale foto të tyre pa hixhab do të privohen nga disa të drejta sociale për 6 muaj deri në 1 vit.

Autoritetet i kanë penguar gratë, që ata perceptojnë se nuk janë në përputhje të plotë me kodin e veshjes, të hyjnë në zyrat qeveritare, banka apo të hipin në mjetet e transportin publik. Por masa të tilla nuk i kanë ndaluar gratë iraniane të rezistojnë ndaj hixhabit.

Gjatë dekadës së fundit, autoritete janë përballur me një militantizëm më të madh në internet nga gratë iraniane. Për shembull, miliona gra ndjekin fushatën e mediave sociale “Liria ime e fshehtë”, e cila synon të rrëzojë ligjet e detyrueshme të hixhabit në Iran, dhe nismat e saj të ndryshme, si të Mërkurat e Bardha (duke inkurajuar gratë të veshin shalle të bardhë të mërkurave si shenjë mospajtimi ), Ecja pa Mbulesë (kur gratë zbulojnë kokën në publik), Burra me Hixhab (kur burrat postojnë foto të tyre të veshur me hixhab) dhe Kamera Ime është Arma Ime (ku gratë ndajnë pamjet e xhiruara nga telefonat celular të burrave abuzues ndaj tyre apo të policisë së moralit )

Për regjimin është bërë shumë më e vështirë përpjekja për të kontrolluar një brez të ri që dëshiron ndryshime sociale dhe lidhje më të forta me Perëndimin. Pavarësisht censurës shumë të fortë, shkalla e depërtimit të internetit në Iran në fillim të këtij viti ishte 84 përqind.

Irani ka mbi 130 milionë numra celularë aktivë në një popullsi me 84 milionë banorë, dhe numri i raportuar i përdoruesve të internetit në vitin 2022 u rrit në 72 milionë nga 58 milionë që ishte në vitin 2020. Por shifra reale mund të jetë edhe më e lartë. Protestat në Iran e kanë vendosur Perëndimin në një pozitë të vështirë.

Administrata Biden në SHBA është përpjekur shumë të rivendosë disa versione të marrëveshjes bërthamore nga të cilat hoqi dorë administrata Trump. Por kjo marrëveshje nuk mund të shpëtohet. Republika Islamike nuk është një ndërmjetës i ndershëm. Ajo ka një histori të gjatë mashtrimi mbi programin e saj bërthamor.

Ndaj nëse presidenti amerikan arrin një kompromis me Iranin, ajo do të zhvlerësonte denoncimin prej tij të shtypjes së regjimit ndaj protestuesve. Çdo marrëveshje e tillë ka të ngjarë të çlirojë miliarda dollarë për qeverinë iraniane, duke financuar të njëjtat autoritete që po sulmojnë me egërsi qytetarët në rrugë.

Prandaj Joe Biden duhet të mbajë një qëndrim të qartë dhe të drejtpërdrejtë. Ai duhet të përdorë foltoren e Shtëpisë së Bardhë për të mbajtur një fjalim të veçantë mbi Iranin, duke iu drejtuar popullit të tij, diasporës iraniane dhe botës. Administrata e tij e ka bërë përballjen midis autokracisë dhe demokracisë një temë qendrore të politikës së saj të jashtme. Dhe Irani duhet të jetë pjesë e kësaj politike.

Ka ardhur koha që populli iranian të inkurajohet që të përmbushë aspiratat e tij demokratike. Në vitin 2009, administrata Obama zgjodhi të përmirësonte marrëdhëniet me Ajatollah Ali Khamenein, Udhëheqësin Suprem të Iranit, në vend se të mbështeste Lëvizjen e Gjelbër pro-demokracisë. Administrata Biden nuk duhet ta përsërisë atë gabim. Tani, më shumë se kurrë, është koha që avokatët e lirisë të mendojnë seriozisht për një botë pas Republikës Islamike.

Marrë me shkurtime
Shënim:Masih Alinejad, gazetare dhe aktiviste iraniano-amerikane. Në vitin 2014, nisi një fushatë kundër ligjeve për mbajtjen e detyrueshme të hixhabit në Iran. Ajo është autore e librit “Era në flokët e mi: Lufta ime për liri në Iranin e sotëm” .

 

Lexo me shume