Franca i dërgon Gjermanisë gaz për herë të parë

Franca i ka dërguar gaz Gjermanisë për herë të parë në sajë të solidaritetit evropian. Gazi, i shpërndarë nëpërmjet një tubacioni është pjesë e një marrëveshjeje midis vendeve për të lehtësuar mungesat e energjisë pasi Rusia mbylli furnizimet e saj për Evropën. Kjo dërgesë është më pak se 2% e nevojave ditore të Gjermanisë.

Rusia është akuzuar për përdorimin e furnizimeve me gaz si armë kundër Perëndimit që nga pushtimi i saj në Ukrainë.

Muajin që kaloi, në marrëveshjen e solidaritetit energjetik, Gjermania ka premtuar që të sigurojë energji shtesë për Francën kur të jetë e nevojshme dhe në këmbim, Franca do ta ndihmojë Gjermaninë me furnizimet me gaz.

“Nëse nuk do të kishim solidaritetin evropian dhe një treg të bashkuar tani, do të kishim probleme serioze”, tha presidenti francez Emmanuel Macron.

Franca është më pak e prekur nga mbyllja e rubinetave të gazit nga Rusia, sepse shumica e nevojave të saj për energji plotësohen nga Norvegjia dhe përmes furnizimeve të gazit natyror të lëngshëm.

Pushtimi rus i Ukrainës në muajin Shkurt solli rritje të çmimit të gazit dhe klientët e BE-së po përballen me çmime rekod në faturë këtë dimër. Deri atëherë Gjermania mbështetej tek Rusia për 55% të gazit të saj. Gjermania po ashtu po rrit përdorimin e qymyrit pavarësisht ndikimit negative në mjedis.

Presidenti rus, Vladimir Putin tha para dy ditësh se rubinetat e gazit ende mund të hapen drejt Evropës dhe se “topi, siç thonë ata, tani është në fushën e Bashkimit Evropian”.

“Ne nuk e kufizojmë askënd në asgjë,” tha ai teksa shtoi se Moska është e gatshme të furnizojë vëllime shtesë të gazit në periudhën vjeshtë-dimër.

Por pavarësisht fjalëve të Putinit, një rifillim i furnizimit me gaz në Evropë duket i pamundur./tvklan.al

Lexo me shume