Gjermania po përballet me ndryshime drastike në shumë dimensione njëherësh_663a0296ccf1a.jpeg

Gjermania po përballet me ndryshime drastike në shumë dimensione njëherësh

Schafft Deutschland das? Nuk do të jetë e lehtë, shkruan The Economist

 
Pjesa më e madhe e suksesit të Gjermanisë në dekadat e fundit, ka ardhur falë ruajtjes së qëndrueshmërisë.
Edhe dramat e saj kanë qenë drama të vazhdimësisë – si në vitin 2015, kur Angela Merkel nuk pranoi të ndryshonte politikën e kërkimit të azilit përballë fluksit të madh të refugjatëve sirianë. “Wir schaffen das”, tha ajo duke mbajtur derën hapur – “Ne mund ta përballojmë këtë”.
Kjo vërejtje reflektonte dhembshuri dhe besim, ndërsa u ofronte votuesve siguri. Gjermania ka qenë mjaftueshëm e fortë dhe e qëndrueshme për ta përballuar këtë zhvillim të jashtëzakonshëm. Sigurisht, ka pasur ripërshtatje, por jo ndryshime të thella, dhe as kosto serioze.
Ndërsa kriza e shkaktuar nga sulmi i Rusisë në Ukrainë këtë shkurt, është e një tjetër lloji. Olaf Scholz, i cili mori detyrën pas zonjës Merkel dhjetorin e kaluar, në krye të një koalicioni midis socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve, e kuptoi shpejt ndryshimin.
Duke folur vetëm tri ditë pasi tanket ruse kaluan kufirin, ai shpalli ardhjen e një Zeitenwende – një ndryshimi të madh.
Ai u zotua se Gjermania do ta mbështeste Ukrainën deri në fund. Ajo do ta ndëshkonte Rusinë me sanksione dhe do të rriste ushtrinë e vet. Vendi do të ndryshonte politikën e tij për t’u varur më pak nga Rusia për furnizimet me gaz natyror, të cilin e përfitonte me çmime të lira.
Fjalët e ashpra hapën një debat shumë më të gjerë mbi nevojën për t’u ndarë nga shtigjet e vjetra, një debat në të cilin pothuajse asgjë nuk duket se është më e shenjtë.
Të Gjelbrit në koalicionin e Scholz, duket se tani janë të gatshëm të zbusin qëndrimin e tyre kundër centraleve të energjisë bërthamore dhe energjisë nga qymyri.
Konservatorët po diskutojnë mbi lirimin e kufijve të deficitit të shpenzimeve që kanë mbajtur nën kontroll investimet publike. Titanët e industrisë e pranojnë se biznesi gjerman do të fundoset, nëse nuk mëson të notojë në ujëra të reja dhe më të trazuara.
Kjo retorikë tregon se po shfaqet një Gjermani e re: një Gjermani më pragmatike dhe më pak predikuese, më pak e vetëkënaqur dhe më vendimtare.
Ajo ka mundësinë të evoluojë në një lokomotivë më të pavarur dhe më të sigurt, për një projekt europian në zgjerim, një qendër globale për industritë e reja dhe teknologjinë e gjelbër dhe një vend që nuk i druhet përdorimit të Forcave të Armatosura. Nëse gjërat shkojnë mirë, transformimi i Gjermanisë i nxitur nga lufta, mund të jetë një nga keqardhjet më të mëdha të Vladimir Putinit.
 
Por nuk dihet nëse kjo do të ndodhë
Sigurisht, jo e gjithë merita për prirjen e Gjermanisë ndaj ndryshimit duhet t’i shkojë zotit Putin. Trysnia ishte krijuar prej vitesh.
Sado të begatë që ishin, gjermanët e kuptonin se infrastruktura e tyre po vuante pas dekadave nën-investimi, se industria e tyre ishte tepër e varur nga eksportet në Kinë, se kompanitë kishin vështirësi në gjetjen e stafit të duhur. Shumë mendonin se sfidat afatgjata si ndryshimi i klimës dhe sistemi i pensioneve, po liheshin pas dore.
Performanca e dobët e kristian-demokratëve të zonjës Merkel në zgjedhjet e vitit të kaluar, pasqyroi padurimin e kombit. Qeveria që e zëvendësoi atë, është qeveria më e re dhe më e ndryshme që ka parë Gjermania.
Ky koalicion Ampel (“semafori”), i quajtur kështu për shkak të ngjyrave përfaqësuese të tre partive, e kuqe, e verdhë dhe e gjelbër, nisi me një axhendë të fortë për reformën e brendshme. Fokusi kryesor ishte një “ekonomi e tregut social” më e gjelbër dhe shumë e dixhitalizuar. Kjo u errësua shpejt nga Zeitenwende. Por të dyja po përparojnë me përpjekjet për të përmirësuar Forcat e Armatosura dhe për të riformuar peizazhin e energjisë.
Gjashtë muaj pas fjalimit të kancelarit, arritjet nuk kanë qenë të pakta. Gjermania i ka dërguar para dhe armë qeverisë së Ukrainës. Ajo ka siguruar para edhe përmes BE-së dhe marrëveshjeve “shtesë”, sipas të cilave, armët gjermane të furnizuara për aleatët e NATO-s i kanë lejuar ata aleatë të dërgojnë më shumë armë në Ukrainë. Vendi gjithashtu mirëpret afërsisht një milion refugjatë. Rreth 150,000 fëmijë ukrainas janë regjistruar tani në shkollat gjermane.
Megjithatë, ka pasur gabime në shumë aspekte të kësaj përgjigjeje. Megjithëse Gjermania ka dërguar para, vende të tjera kanë dërguar më shumë, veçanërisht duke i matur si pjesë e PBB-së.
Në Ukrainë, ka pasur ankesa se Gjermania është treguar e ngadaltë dhe pjesa më e madhe e furnizimeve që ajo ka mundësuar, kanë qenë teprica. Ka shenja se ushtria gjermane, që ka vuajtur nga mungesat për dekada me radhë, ka ngurruar të ofrojë ato pak armatime të sofistikuara që ka.
Sidoqoftë, një qasje e fortë por e qëndrueshme, mund ta shtyjë Gjermaninë që të ndihmojë Ukrainën më tepër se shumica e vendeve, në një periudhë afatgjatë.
Ndihma ushtarake është përshpejtuar. Këtë muaj, dërgimi i raketave të para të lëvizshme të prodhuara nga Gjermania, shënoi kontributin më domethënës të një vendi që, për dekada me radhë, nuk ka pranuar të dërgojë armë në zonat e luftës.
 

 
Duhen më shumë përpjekje
Kur bëhet fjalë për izolimin e sektorëve joenergjetikë të ekonomisë ruse, të dhënat janë më të qëndrueshme.
Pavarësisht sanksioneve të vendosura pas aneksimit të Krimesë nga Putini në vitin 2014, në fillim të këtij viti, Gjermania mbeti investitori kryesor i huaj i Rusisë, me rreth 4000 firma gjermane që ishin aktive atje. Më shumë se 200 firma gjermane vazhdojnë të bëjnë biznes në Rusi, duke përfshirë Globus (supermarkete) dhe Fresenius (kujdes shëndetësor).
Por shumica dërmuese tani i kanë mbyllur operacionet dhe kanë tërhequr stafin, duke shkuar përtej asaj që u kërkua nga sanksionet e reja të BE-së, për shkak të shqetësimeve për sigurinë, respektit ndaj opinionit publik dhe besimit se kjo ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Një gjë e tillë ka goditur rëndë investimet, partneritetet dhe shitjet, goditje të cilat janë shoqëruar me ankesa.
Edhe politikanët i kanë rritur përpjekjet e tyre. Partia e Gjelbër ka pasur prej kohësh një rrymë të fortë pacifiste dhe mosndërhyrëse, por kjo nuk u pa askund kur Annalena Baerbock, ministrja e Jashtme 41-vjeçare, një nga dy anëtarët e Partisë së Gjelbër në koalicion, u tha studentëve në New School në Nju Jork se “lufta mizore e Rusisë” është një sulm ndaj “lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”. Partia e Scholz-it ka ndjekur prej kohësh një qasje të butë ndaj Rusisë.
Kancelari i saj i mëparshëm, Gerhard Schröder, i cili ishte në detyrë në fillim të shekullit, u bë një lobist për interesat ruse pas largimit nga detyra. Megjithatë, bashkëkryetari aktual 44-vjeçar i partisë, Lars Klingbeil, e përshkruan troç forcën ushtarake si një mjet legjitim për paqen. “Një luftë nuk çon në luftë”, tha ai në një fjalim të fundit. “Mbyllja e syve ndaj realitetit, çon në luftë.”
Në luftë mund të çojë edhe mungesa e gatishmërisë për të qenë serioz në lidhje me mbrojtjen. Scholz kishte premtuar para NATO-s se do të rriste shpenzimet ushtarake deri në 2% të PBB-së, një qëllim për të cilin aleanca e NATO-s kishte rënë dakord më shumë se një dekadë më parë, por që Gjermania nuk ka arritur ta përmbushë. Në mesin e viteve 2010, ajo po shpenzonte vetëm pak më shumë se 1% (shih grafikun 1).
 

 
Një fond special prej 100 miliardë eurosh (103 miliardë dollarë) do të përdoret për të rritur shpenzimet për Forcat e Armatosura nga 51 miliardë euro në buxhetin e vitit 2021, në 80 miliardë euro apo më shumë. Fondet e para të mëdha do të dërgohen për Luftwaffe-n e dobët, e cila do të marrë 35 avionë luftarakë F-35 nga Amerika, në një marrëveshje prej 8.4 miliardë dollarësh.
Vetëm rritja e investimeve nuk mjafton. “Është e nevojshme të shpenzohen shumë para në Bundeswehr, – thotë Nico Lange, ish-shef shtabi në Ministrinë e Mbrojtjes, – por ajo që duhet ndryshuar në thelb, është kultura burokratike”. Ai thotë se ushtria është bërë e lidhur pas shkresave.
“Ne ankohemi se duhet të mësojmë ukrainasit si të përdorin armët tona ‘të avancuara’, kur në fakt, jemi ne që duhet të mësojmë prej tyre se si të improvizojmë në fushën e betejës dhe të marrim nismën”.
Edhe pse rritja e ambicies ushtarake është e vështirë, ndryshimi i politikës energjetike është ai që do të ketë pasojat më të thella për ekonominë vendase. Administratat e ndryshme të zonjës Merkel, jo vetëm që lejuan që kontributi i Rusisë në importet e gazit të arrinte në 55%, por gjithashtu miratuan shitjen e rafinerive, objekteve të depozitimit të gazit dhe infrastrukturës, për firmat ruse.
Ata nuk ndërtuan terminale për cisterna të gazit të lëngshëm natyror që vijnë nga ofruesit më të largët; për më tepër, ndaluan fracking, një teknologji që mund ta kishte lejuar Gjermaninë të shfrytëzonte rezervat e veta të gazit.
Reformat e mbështetura në treg për financimin e burimeve të rinovueshme, ndaluan bumin eksponencial të fillimit të viteve 2010, duke e kthyer në një rritje më të qëndrueshme dhe më pak drastike. Energjia bërthamore u hoq nga përdorimi, si një përgjigje e nxituar ndaj katastrofës në Fukushima.
Për sa i përket qëllimit që deklaroi Gjermania se dëshironte të përdorte tregtinë e ndërsjellë për të nxituar ndryshimin në Rusi, ky ishte një dështim i plotë. Ai e ka lënë Gjermaninë në një situatë vërtet të turpshme dhe tragjike, ku vendi detyrohet të financojë agresionin e Putinit.
Pagesat e Gjermanisë për lëndët djegëse fosile kanë futur rreth 18 miliardë euro në xhepin e Putinit, që kur tanket e tij depërtuan në pjesë të reja të Ukrainës më 24 shkurt, sipas Qendrës Kërkimore për Energjinë dhe Ajrin e Pastër, me qendër në Helsinki.
Vështirësia për të shkëputur vendin nga energjia ruse deri në verën e vitit 2024, siç shpreson të bëjë qeveria, ka ngjallur në shtyp frikën e deindustrializimit katastrofik dhe kryengritjes popullore. Megjithatë, deri tani, reduktimet kanë qenë më të shpejta se sa pritej dhe jo veçanërisht të dhimbshme.
Ndërsa Putini ka ulur furnizimet me gaz, Gjermania ka gjetur burime të ndryshme zëvendësuese, shpesh duke lënë pas vendet e tjera. Sasia e gazit që vjen nga Rusia, tani është vetëm 26% e totalit, sipas qeverisë. Ambientet e magazinimit, të cilat ishin në nivele të ulëta para luftës, janë mbushur në nivelin normal për muajin gusht. Në fillim të vitit të ardhshëm, i pari nga pesë terminalet e rinj me gaz natyror të lëngshëm, pritet të vihet në funksionim.
Uljet e kërkesës po vazhdojnë. Kompanitë e mëdha si Mercedes-Benz dhe BASF, një gjigant i kimikateve, tani thonë se mund të operojnë me shumë më pak gaz sesa mendonin fillimisht; prodhuesi i makinave thotë se tashmë ka ulur përdorimin e gazit me 10% dhe mund të arrijë në 50% deri në fund të vitit.
Qeveria planifikon të nisë një mekanizëm ankandi që do t’i lejojë firmat të ofrojnë reduktime në përdorimin e gazit me një çmim specifik, duke i lejuar qeverisë të gjejë opsionet më efikase. Për të nxitur kursimin midis përdoruesve vendas, të cilët zakonisht kanë kontrata afatgjata gazi me çmim fiks, qeveria do të ngarkojë një tarifë shtesë gazi nga tetori, ndërsa në të njëjtën kohë, premton mbështetje të mëtejshme për konsumatorët e goditur rëndë.
Konsumi i gazit, si për industrinë, ashtu edhe për përdorimin shtëpiak, do të ulet edhe nga fqinjët europianë të Gjermanisë (të cilët kanë premtuar reduktime prej 15%).
Ndërkohë që më shumë gaz vjen në Europë nga burime si Katari, Algjeria dhe Amerika dhe po kryhet një kalim i përkohshëm në përdorimin e qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike, kjo duhet t’i mundësojë Gjermanisë ta kalojë dimrin pa mungesa dhe me mbështetje minimale nga gazi rus. Megjithatë, nëse dimri është veçanërisht i ftohtë, ose nëse flukset nga Rusia pushojnë plotësisht, do të nevojiten masa të mëtejshme.
Kriza e energjisë ka qenë në qendër të vëmendjes së Robert Habeck, zëvendëskancelar dhe ministër për Çështjet Ekonomike. Lufta ka nxitur planet ambicioze të të Gjelbërve për të zgjeruar kapacitetin e burimeve të rinovueshme në Gjermani dhe zoti Habeck po shfrytëzon krizën për të kapërcyer qëndresën politike ndaj këtyre planeve në shtetet e qeverisura nga kristiandemokratët.
Në korrik, Dhoma e Lartë e Parlamentit (ku përfaqësohen shtetet) miratoi një paketë masash për të përshpejtuar planifikimin, miratimin dhe ndërtimin e projekteve të energjisë së gjelbër.
Zoti Habeck ende nuk ka hequr dorë nga planet e kahershme për të mbyllur tre termocentralet e fundit bërthamore në dhjetor, një veprim që do të ulte furnizimin me energji elektrike me 6%. Por ndërkohë që sondazhet tregojnë se rreth 80% e gjermanëve, duke përfshirë një shumicë të të Gjelbërve, favorizojnë mbajtjen e fabrikave të hapura për të paktën edhe disa muaj, duket se duhet hequr dorë nga kjo çështje.
Gjermania duket se është në rrugën e duhur për të zgjeruar listën e furnizuesve të energjisë, duke e bërë atë më pak të cenueshme strategjikisht. Në planin afatgjatë, më shumë burime të rinovueshme dhe largimi nga gazi natyror drejt hidrogjenit, mund ta bëjnë vendin më të vetëmjaftueshëm.
Por me çmimet e larta të gazit dhe emetimet e karbonit (që do të thotë se qymyri nuk është një opsion i lirë) ka kosto të mëdha afatshkurtra dhe është përhapur frika se industritë që mbështeten në gazin e lirë rus, mund të jenë në telashe.
Monika Schnitzer nga Universiteti i Mynihut, thotë se janë kostot relative ato që kanë rëndësi, më shumë se kostot absolute.
“Nëse vendet e tjera përballen me çmime të ngjashme të larta të gazit, gjë që do të ndodhë me kalimin e kohës në tregjet globale të gazit, prodhimi mund të mbetet në Gjermani, veçanërisht i atyre produkteve që përdorin gaz dhe teknologji”. Por një ekonomi me një industri të madhe kimike dhe një varësi nga prodhimi, nuk mund të jetë e qetë nga çmimet më të larta të energjisë.
Prodhimi gjerman nuk po rritet më në terma absolutë (shih grafikun 2). Por në vitin 2019, para pandemisë, ai ende përbënte pothuajse 20% të PBB-së, krahasuar me 11% në Amerikë dhe 9% në Britani.
 

 
Megjithëse ekonomistët presin që ekonomia të zhvendoset më tej drejt shërbimeve, karakteri i saj industrial do të vazhdojë. Siç thotë Jens Südekum nga Universiteti Dusseldorf, “shërbimet e Gjermanisë nuk do të jenë Facebook-u i ri, por thjesht shërbime që janë të lidhura ngushtë me manifakturën”.
Por transformimi i një ekonomie industriale kërkon aftësi dixhitale dhe në këtë drejtim, Gjermania ka mbetur mbrapa. Zonja Merkel e quajti internetin “territor të ri” në fund të vitit 2013.
Ndërsa disponueshmëria e lidhjeve celulare me brez të gjerë dhe me shpejtësi të lartë është përmirësuar, integrimi i teknologjive dixhitale në biznese apo administratën publike, mbetet jo mbresëlënës.
Një sfidë kryesore këtu, si në shumë fusha të tjera, është mungesa e stafit të kualifikuar. Popullsia e Gjermanisë në moshë pune është duke u tkurrur më shpejt në dekadën e tanishme se ajo e çdo ekonomie tjetër të madhe, përveç Koresë së Jugut. Edhe me emigracionin e lartë, të cilin Gjermania planifikon ta nxisë, vendi nuk ka gjasa të kompensojë mungesën.
Industria po përballet edhe me problemin e tregjeve, për prodhimet e saj. Rusia nuk është më një mundësi. BDI, Shoqata e Industrisë së Gjermanisë, paralajmëroi që në vitin 2019 për nevojën për të shmangur varësinë e tepërt ndaj Kinës. Dhe natyra e gjërave që dëshiron bota, po ndryshon si rezultat i tranzicionit të energjisë.
Marrim si shembull industrinë e makinave, aq të dashur për vendin. Marrëveshja nga Tesla, një prodhues i automjeteve elektrike, për të ndërtuar një fabrikë pranë Berlinit, u lavdërua si një sukses i madh. Por edhe nëse fabrika rrit pasurinë e disa furnizuesve, ajo do të sjellë pak lehtësim në rrjetin vendas të kompanive inxhinierike të përkushtuara ndaj motorit me djegie të brendshme.
Po rriten shpresat për rritjen e grupeve të tjera të teknologjisë rreth fabrikës Tesla. Investime të tjera të huaja mund të pasojnë. Por përfitimet ekonomike nuk do të përcillen domosdoshmërisht tek prodhuesit vendas gjermanë.
 

 
Gjermanët edhe mund t’i falin politikanët e tyre për dështimet e lidhura ngushtë me luftën. Sondazhet e fundit tregojnë se shumica e fortë mbetet në favor të sanksionimit të Rusisë dhe dërgimit të armëve në Ukrainë. Por midis partnerëve të koalicionit, vetëm të Gjelbrit po japin mbështetje në rritje.
Popullariteti i zotit Scholz dhe partisë së tij, është ulur në mënyrë të vazhdueshme që nga shkurti (shih grafikun 3). Ndjenja e bashkimit kombëtar tashmë është duke u venitur nga mosmarrëveshjet për rolet përkatëse të qeverisë federale dhe shteteve, në lidhje me uljen e kërkesës për gaz dhe vendosjen e turbinave me erë dhe linjave të transmetimit.
Constanze Stelzenmüller nga instituti kërkimor Brookings, është e sigurt se Gjermania nuk do të kthehet përsëri në zakonet e vjetra. Zeitenwende është i vërtetë, thotë ajo, dhe qeveria po punon me të gjitha përpjekjet për ta realizuar atë.
Por ajo shton një paralajmërim. “Zeitenwende është i vërtetë për shkak të Putinit dhe faktit që ai nuk do të ndalet, – thotë ajo. – Nëse kjo do të kishte qenë një luftë njëjavore, gjërat mund të ishin ndryshe”. Që Gjermania të bëjë një angazhim të qëndrueshëm ndaj ndryshimit, nevojitet një sfidë e qëndrueshme./Përktheu: Lira Muça

Burimi