Gjirokastra në “UNESCO” me godina të shkatërruara, kryebashkiaku drejton gishtin nga pronarët

Nga Elidon Berberi

Godina me fasada të dëmtuara, çati të rrënuara, xhama të thyer. Kjo nuk është rruga e ndonjë qyteti të sapo dalë nga lufta, por ndodhet në Gjirokastër.

Ndodhemi në një prej rrugëve e cila të çon drejt zonës historike dhe konkretisht në Qafën e Pazarit karakterisitik të Gjirokastrës e cila është dhe zona më e vizituar nga turistët. Ndryshe nga pjesa tjetër e zonës vihet re mungesa totale e investimeve.

Një qyteti si Gjirokastra që është pjesë UNESKO-s nuk i kanë hije pamje të tilla që nuk nderojnë aspak statusin që gëzon.

Abc u interesua pranë Bashkisë së Gjirokastrës në lidhje me ndërhyrjet e mundshme që duhet të bëhen në këtë zonë. Kryebashkiaku Flamur Golemi thotë se në këto objekte nuk mund të ndërhyet për shkak të mosmarrëveshjeve mes pronarëve të tyre.

“Në 5-6 objekte nuk është ndërhyrë për shkak të konflikteve dhe problemeve që ka mes ish-pronarët dhe pronarët aktualë. Ka dhe objekte të tjera rreth zonës muzeale, që nuk po bëhen funksionale për shkak të pronësisë.”

Golemi shton se pronarët që nuk i kanë vënë në funksion godinat këtë vit janë penalizuar.

“Vitin e kaluar kemi nxjerrë në paketën fiskale një masë për të tatuar dyfish objektet që ndodhen brenda kësaj zone, që është zemra e qytetit, që gjenerohen dhe të ardhura. Është masë e parë paraprake, po shohim sa po funksionon. Mbase duhet shumëfishuar dhe duhen parë dhe masa të tjera që këto objektet që ngelen peng dhe nuk shfrytëzohen apo jepen me qira të bëhen funksionale.” /abcnews.al/

Lexo me shume