Gjykata pezullon planin e Presidentit Biden për anullimin e borxheve studentore

Një gjykatë federale e apelit lëshoi të premten një urdhër për të bllokuar përkohësisht planin e Presidentit Joe Biden për anullimin e miliarda dollarëve borxhe federale të studentëve.

Gjykata e qarkut të tetë të apelit e lëshoi këtë urdhër ndërsa po shqyrton një padi nga gjashtë shtete të drejtuara nga zyrtarë republikanë për të bllokuar programin e anulimit të borxheve. Urdhëri e udhëzon administratën e Presidentit Biden të mos e vërë në zbatim programin ndërkohë që po shqyrtohet padia.
Urdhëri u dha vetëm pak ditë pasi filluan aplikimet e para për falje të borxheve studentore.

Nuk është e qartë se çfarë domethënie do të ketë ky urdhër për 22 milionë personat që dëshirojnë të përfitojnë nga ky program. Administrata e Presidentit Biden kishte premtuar të mos anulonte borxhe përpara datës 23 tetor, ndërkohë që po përballej me sfida ligjore, por sidoqoftë data më e afërt kur mund të fillonte anulimi i borxheve pritej të ishte mesi i nëntorit.
Pikëpyetja kryesore tashmë është nëse çështja do të zgjidhet deri më 1 janar, kur pritet të rifillojnë pagesat për borxhet studentore që ishin pezulluar gjatë pandemisë. Pritej që miliona amerikanëve t’iu anullohej plotësisht borxhi me planin e Presidentit Biden, por tashmë ata përballen me pasigurinë se mund t’iu duhet të rifillojnë pagesat në janar.
Presidenti Biden ka thënë në të kaluarën se shtyrja e këtij afati nuk do të ndodhte më, por ekonomistët shqetësohen se shumë amerikanë mund të mos kenë rifituar sigurinë financiare pas përmbysjes që shkaktoi pandemia. Nëse huamarrësve që prisnin t’iu falej borxhi, tashmë do t’iu kërkohet të bëjnë pagesa në janar, ekziston frika se mund të mbeten pas në shlyerjen e faturave dhe të shkojnë drejt mospagimit të kredive.
Padia është paraqitur nga gjashtë shtete: Nebraska, Mizuri, Arkansas, Ajova, Kansas dhe Karolina e Jugut, të cilat kishin kërkuar gjithashtu masën e ndalimit për këtë plan derisa të zhvillohet procesi i apelimit.

Top ChannelLexo me shume