Goditi shoferin, përjashtohet nga Policia e Shtetit efektivi i Rrugores në Pogradec, nis hetimi penal. Kolegu i tij…

POGRADEC

Përjashtohet nga Policia e Shtetit efektivi i Rrugores në Pogradec që goditi një drejtues automjeti.

Policia e Pogradecit njoftoi sot se në lidhje me një incident të ndodhur në datën 21.10.2022, rreth orës 15:00, në lagjen nr. 3, Pogradec, ndërmjet 2 punonjësve të Policisë Rrugore dhe drejtuesit të një automjeti, bazuar në dëshminë e dhënë në Prokurori, nga shtetasi N. H. (drejtues i automjetit), si dhe në analizën e pamjeve filmike të publikuara në rrjetet sociale, në të cilat shfaqet punonjësi i Policisë Rrugore, shtetasi A. S., në tejkalim të kompetencave që i jep ligji, ndaj drejtuesit të automjetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Sektorit të Policisë Rrugore Korçë, inspektor A. S.

Për këtë punonjës policie ka nisur edhe hetimi penal nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.

Gjithashtu, është vendosur transferimi në një strukturë tjetër policore, për punonjësin tjetër të Policisë, shtetasin L. H., i cili nuk ka ndërhyrë për të parandaluar veprimin e paligjshëm të kolegut të tij.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon mediat për bashkëpunimin dhe i fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me detyrën, sjellje të pahijshme apo tejkalim të kompetencave të punonjësve të Policisë, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm, si dhe ndëshkim të rreptë për çdo shkelje apo cenim të të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Po kështu Drejtoria Rajonale e Agjencisë Mbikëqyrjes Policore Korçë ka referuar në Prokurori materialet procedurale për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ndaj punonjësit të policisë të Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Pogradec, Inspektor A. S.

Veprimet hetimore ndaj këtij punonjësi policie u kryen pasi më datë 21.10.2022, në rrjete sociale është publikuar një material filmik ku ai shfaqet duke debatuar dhe goditur shtetasin A. T., i cili ishte pasagjer në një automjet që ishte ndaluar pasi drejtuesi i saj u konstatua duke përdorur telefonin dhe pa vendosur rrip sigurimi.

Në konsultim edhe me Prokurorin e gatshëm, nga ana e Drejtorisë Rajonale të AMP Korçë është administruar materiali filmik, është marrë kallëzimi i shtetasit A. T. dhe deklarimet e palëve, si edhe është bërë këqyrja e jashtme e këtij shtetasi në prani të mjekut ligjor.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec.

Lexo me shume