Haaland “tremb” Guardiolën, trajneri zbulon pse e zëvendësoi. Asnjë enigmë në Grupin G (VIDEO)

Asnjë enigmë në Grupin G një xhiro përpara fundit. Dortmund dhe Man.City ndahen në paqe pas barazimit pa gola, një rezultat që i siguron një biletë për në fazën e 1/8, “qytetarët” si kokë grupi ndërsa verdhezinjtë të dytët me 8 pikë.

Në “Iduna Park”, përballë ish ekipit të tij, Erling Haaland nuk shkrep, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë, Guardiola vendosi ta parkojë në bokse. Mahrez gaboi nga pika e bardhë e penalltisë, rasti më i pastër në këtë 90-minutësh. Në përfundim të sfidës, Pep Guardiola zbuloi se Haaland u zëvendësua pasi përpara këtij takimi kishte pasur temperaturë:

“Ishim disi të lodhur, paguam shtrenjtë përballjen me Brighton në fundjave. Gjithsesi, arritëm atë që kërkonim, të kualifikoheshin në 1/8 si kokë grupi. E zëvendësova Haaland pasi ai dhe Cancelo nuk ishin shumë mirë. Të dy, përpara ndeshjes, kishin pak temperaturë”, theksoi Pep në konferencë për shtyp.

Në sfidën tjetër të këtij grupi, Sevilla mposhti Copenhagen me rezultatin e pastër 3-0 duke siguruar një biletë për në Europa League.
(BalkanWeb)

Lexo me shume