Halili i është shmangur pagesës, Disiplina e vë me shpatulla pas murit: “Paguaj Shehin brenda 30 ditësh”_6639fbfeb2498.jpeg

Halili i është shmangur pagesës, Disiplina e vë me shpatulla pas murit: “Paguaj Shehin brenda 30 ditësh”

Kishte fituar të drejtën, por nuk kishte marrë paratë. Orges Shehi për të zgjidhur këtë histori konfliktuale me Tiranën, që shkoi në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, iu drejtua Komisionit të Etikës dhe Disiplinë pranë FSHF-së. Disiplina vendosi pranimin e kërkesës së teknikut Orges Shehi me motivacionin e qartë. “Klubi i Futbollit Tirana, për dështim në ekzekutimin e vendimit nr. 9, datë 14.12.2023 të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve, në bazë të nenit 29/1/b të KDE, i jepet një afat paralajmërues prej 30 (tridhjetë) ditësh për të ekzekutuar vendimin”.
Në fakt, Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve kishte marrë vendimin përfundimtar në lidhje me përplasjen mes Shehit dhe klubit Tirana. Organizmi pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi vlerësoi faktet e paraqitura nga palët, vendosi anulimin e pezullimit që u aplikua nga bardheblutë në fund të tetorit. Ish-tekniku i Tiranës fitoi përballjen ligjore me klubin bardheblu, çështje që kishte përfunduar në fokusin e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve, por nuk mori paratë. Ndaj dhe në lojë hyri Disiplina.
Lexo më tej: Kush gënjen mes Shehit e Halilit? Trajneri e çon dosjen në FSHF, presidenti pretendon pagesa paradhënie
Sipas vendimit, Klubi detyrohet t’i paguajë rrogat e prapambetura, ndaj ish-trajnerit që në dy vite e shpalli kampion dhe nënkampion formacionin kryeqytetas. Detyrimi i pagave të muajve korrik, gusht, shtator është ajo me faturën më të rëndë financiare, sepse i bashkangjitet edhe e drejta e shfrytëzimit të imazhit. Bëhet fjalë për rreth 25 mijë euro, por bardheblutë duhet të paguajnë Orges Shehin, edhe me vetëm pagën, deri në fund të kontratës. Që do të thotë deri në 31 maj. Në total janë rreth 9 mijë euro, sepse këtu nuk përfshihet pjesa e shfrytëzimit të imazhit, duke qenë se 46 vjecari nuk është më në detyrë dhe për këtë arsye i pa promovueshëm si figurë.

Burimi