Hamasi njofton se ka marrë përgjigje nga Izraeli mbi propozimin e tij për armëpushim_663a50cf05de5.jpeg

Hamasi njofton se ka marrë përgjigje nga Izraeli mbi propozimin e tij për armëpushim

Përfaqësues të grupit të militantëve të Hamasit thanë se kishte marrë të shtunën përgjigje zyrtare nga Izraeli mbi një propozim të bërë së fundmi nga grupi për armëpushim. Khalil Al-Hayya, zëvendës shefi i grupit, i cili aktualisht ndodhet në Katar, tha se Hamasi do ta shqyrtojë atë, përpara se të përgjigjet.
Hamasi e kishte e paraqitur propozimin më 13 prill ndërmjet ndërmjetësve egjiptianë dhe Katarit. Pas më shumë se gjashtë muaj lufte në rripin e Gazës, negociatat mbeten të bllokuara. Hamasi vazhdon t’i qëndrojë kërkesës se çdo marrëveshje duhet t’i japë fund luftës.
Të premten një delegacion egjiptian vizitoi Izraelin për bisedime me zyrtarët atje, në një përpjekje për të gjetur një mënyrë për të rifilluar bisedimet me synimin për t’i dhënë fund konfliktit, si dhe lirimin e pengjeve që vazhdojnë të jenë në duart e Hamasit.
Duke iu refruar takimit një zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Izraeli nuk kishte propozime të reja për të bërë, po ishte i gatshëm të merrte në konsideratë një armëpushim të kufizuar, gjatë të cilit do të liroheshin 33 pengje nga Hamasi dhe jo 40, sikurse ishte thënë gjatë diskutimeve të mëparshme.
Të enjten, Shtetet e Bashkuara dhe 17 vende të tjera i bënë thirrje Hamasit që të lirojë të gjithë pengjet, si një rrugë për t’i dhënë fund krizës.
Në një deklaratë të lëshuar të premten Hamasi tha se ishte “i hapur ndaj çdo ideje apo propozimi që merrte parasysh nevojat dhe të drejtat e popullit tonë”, sikurse thuhej në njoftim.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë Jake Sullivan, tha të premten se ai kishte vënë re një moment të ri në bisedimet për t’i dhënë fund luftës dhe lirimin e pengjeve të mbetura.
Duke cituar dy zyrtarë izraelitë, faqja informative ‘Axios’ njoftoi se Izraeli u kishte thënë ndërmjetësuesve egjiptianë të premten se ishte gati t’u jepte negociatave për lirimin e pengjeve “një shans të fundit”, duke arritur një marrëveshje me Hamasin, përpara se të vazhdonte me një sulm në Rafah, ku streohen rreth 1 milion banorë.
Ndërkohë, në Rafah, zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se si pasojë e një sulmi ajror izraelit, ndaj një objekti banimi, u vranë të paktën pesë persona dhe plagosën disa të tjerë.
Lufta filloi kur Hamasi kreu një sulm terrorist ndërkufitar në pjesën jugore të Izraelit më 7 tetor, në të cilin sipas autoriteteve izraelite, 1200 njerëz u vranë dhe 253 u morën peng. Ndërkohë sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, sulmet izraelite kanë vrarë 34,000 palestinezë. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera vende./VOA

Burimi