Hetimet mbi sulmet kibernetike, prokuroria dërgon letër-porosi në 22 shtete

Prokuroria Shqiptare ka dërguar letërporosi në 22 shtete për autorët e sulmit kibernetik ndaj vendit tonë. Përveç Rusisë, Iranit, Kinës dhe Britanisë, tashmë kërkohen të dhëna edhe nga Turqia, Holanda dhe shtete të tjera.

Hetimi ka gjetur gjurmë të përdorimit të serverëve të ndryshëm në këto shtete, nga autorët e sulmit ndaj Shqipërisë.

Aktiviteti i pandërprerë i grupit Iranian “Homeland Justice” në publikimin e të dhënave sensitive nga sistemet kompjuterike shqiptare, ka sjellë shtimin e numrit të letërporosive, të dërguara jashtë vendit nga prokuroria e Tiranës.

Nga 18 kërkesa për ndihmë juridike të dërguar në fillim të muajit Shtator 2022, “Ora News” mëson se tashmë numri i shteteve që Shqipëria kërkon bashkëpunim ka shkuar në 22. Kjo pasi gjatë kësaj kohe njësia “C”, Shërbimet Partnere dhe Prokuroria, kanë zbuluar vendodhje të ndryshme të serverave, nga është sulmuar sistemi kibernetik ndaj vendit tonë.

Ajo që tashmë pas 2 muaj e gjysmë hetim, është konfirmuar zyrtarisht, është fakti se hakerat kanë vepruar në sulm nga Irani, por duke përdorur sistemin e serverave nga disa shtete të ndryshme. Nga hetimi del se fillimisht hakerat kanë përdorur një llogari “Homeland Justice” në aplikacionin “Twitter”, duke filluar të publikojnë të dhëna pikërisht përmes këtij aplikacioni.

Hetimi ka provuar ndër të tjera se Hakerat Iranianë në pamundësi për të publikuar të dhënat në “Twitter” pasi kanali aty u mbyll, hapën llogari në aplikacionin Rus “Telegram”.

Gjatë hapjes së faqes përdorën një server në Iran, i cili qëndroi vetëm 5 minuta aktiv dhe më pas kaloi offline, duke bërë që “Homeland Justice” të administrohet nga servera në Rusi. Por ky gabim i vogël i tyre, solli zbulimin plotësisht, se pas këtij sulmi kibernetik fshihej inteligjenca e Iranit.

Përveç Rusisë, Iranit dhe Britanisë, së fundi një kërkesë për ndihmë i është dërguar Hollandës, me qëllim për tu njohur me të dhënat e mbledhura në rrugë hetimore nga autoritet e këtij shteti, pasi dhe vetë sistemi kibernetik i Hollandës, u sulmua nga grupi i hakerave Iranianë “Homeland Justice”.

Ndihmë juridike i është kërkuar dhe Turqisë, Kinës dhe Indisë. Në 22 letërporosi që tashmë Prokuroria e Tiranës ka dërguar, është përdorur parimi i reciprocitetit dhe konventa për Dhënies e Ndihmës Juridike të Ndërsjellë.

Megjithatë bashkëpunimi me disa shtete, është thuajse në pikën zero, pasi disa prej tyre ku kërkohet ndihma juridike e kanë shpallur Shqipërinë si vend jo mik./ Ora News

Lexo me shume