Homazhe në Korçë për këngëtarin e madh grek, Vasilis Karras

Qytetarët korçarë kanë ndezur qirinj e kanë kryer homazhe pranë katedrales “Ringjallja e Krishtit” për këngëtarin grek Vasilis Karras, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Korçarët në veçanti kanë një lidhje të hershme me këngëtarin e njohur helen, i cili vite më parë ka dhënë dy koncerte për artdashësit e qytetit më të madh në juglindje të vendit, ndaj e për këtë lidhjet e korçarëve me Vasilis Karras vazhdojnë të jenë të forta.
“Siç dihet ai ka dhënë dy koncerte në Korçë, me mbi 15 mijë pjesëmarrës, fliste përherë me konsideratë për korçarët. Figura e tij është shumëplaneshe, njeri i thjeshtë, ka kryer bamirësi. Jo vetëm këngëtar por e jepte respekt ndaj njeriut të thjeshtë”, -theksoi Ligoraq Karamelo, ish-deputet. “Ne si qytetarë korçare ndiejmë nderim për këtë figurë por e mendimi i tij për Korçën duke na ndihmuar me binjakëzimiet e bashkisë, ka ndihmuar me nevoja shëndetësore në Greqi, duke treguar dashuri e të veçantë”, tha ai.
Ndërkohë, Dhimitër Dhisho, një këngëtar i njohur korçarë tha se; “Jemi rritur me këngët e këngëtarit të njohur grek. Ai qe qytetar i Korçës, vërtet grek po u bë e korçar. Koncerti që ka dhënë në Korçë ai e përmendte kudo si arritje artistike. I kemi kënduar këngët e tij dhe do i këndojmë, ishte zë i paarritshëm. Ishte idhull për ne këngëtarët. Do mbetet i pavdekshëm dhe i përjetshëm në kujtimin tonë”. Ka qenë 10 qershor 2000 kur Vasilis Karras ka mbushur një stadium të tërë në Korçë me fansa, të cilët ende dhe sot e kujtojnë atë koncert.

Burimi