Industria e re e energjisë bërthamore në SHBA ka një problem rus

Kompanitë amerikane, që janë duke zhvilluar një gjeneratë të re të centraleve të vogla të energjisë bërthamore, për të ndihmuar në uljen e emetimeve të karbonit, tani kanë një problem të ri: vetëm një kompani shet naftën bërthamore që u duhet dhe ajo është ruse.

Nafta bërthamore është një lëndë që përdoret në centralet bërthamore për të prodhuar nxehtësi për turbinat bërthamore
Për këtë arsye, Qeveria amerikane është duke shqyrtuar mundësinë që të shfrytëzojë rezervat e uraniumit që ka, për të fuqizuar reaktorët e avancuar, ashtu që të nisë një industri që e konsideron tejet të rëndësishme për shtetet që synojnë të përmbushin qëllimet e emetimeve zero të karbonit.

“Prodhimi i uraniumit të pasuruar në nivel të ulët, është mision kritik, dhe tani janë duke u analizuar të gjitha përpjekjet për të rritur prodhimin”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Energjisë.
Kriza me energjinë, e nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, ka rikthyer interesimin në energjinë bërthamore.
Përkrahësit e idesë së reaktorëve të vegjël besojnë se këto sisteme janë më efiçiente, ndërtohen më lehtë dhe mund të ndihmojnë në shmangien e lëndëve djegëse fosile.
Mirëpo pa një burim të sigurt për prodhim të uraniumit të pasuruar në nivel të ulët – i cili është kyç për reaktorët – kompanitë shqetësohen se nuk do të mund të çojnë përpara porositë e tyre.
Dhe nëse nuk do të ketë porosi për reaktorë të tillë, do të mund të ketë edhe mungesë të investitorëve për të zëvendësuar uraniumin rus.
“Ne e kuptojmë nevojën për veprime urgjente për të krijuar një treg të qëndrueshëm për uraniumin e pasuruar në nivel të ulët”, ka thënë Departamenti amerikan i Energjisë.
Qeveria amerikane është në fazën finale të vlerësimit se çfarë sasie do të ndajë nga rezervat që ka për këta reaktorë.
Aktualisht, SHBA-ja besohet se ka mbi 500 tonë të uraniumit të pasuruar në nivele të larta.
Fakti që Rusia ka monopol në prodhim të uraniumit të pasuruar në nivele të ulëta, ka qenë shqetësues për Uashingtonin tash e një kohë.
Mirëpo Ukraina tani e ka ndryshuar lojën dhe asnjëra prej qeverive, dhe as kompanive perëndimore, që zhvillojnë këta reaktorë të avancuar, nuk dëshirojnë të varen nga Moska.
Uraniumi i pasuruar në nivele të ulëta nënkupton pastërti prej 20 për qind, në krahasim se 5 për qind sa u duhet shumicës së centraleve bërthamore.
Mirëpo vetëm TENEX, kompani që i takon gjigantit rus, Rosatom, shet uranium me të tilla nivele.
Ndonëse asnjë shtet perëndimor nuk e ka sanksionuar Rosatomin për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë – kryesisht për shkak të rëndësisë së industrisë bërthamore globale – centralet amerikane sikurse X-energy dhe TerraPower nuk dëshirojnë të jenë të varura nga zinxhiri rus i furnizimit.
“Ne nuk kemi pasur probleme me naftë deri muaj më parë”, ka thënë Jeff Navin, drejtor për çështje të jashtme në TerraPower, kompani të cilën e udhëheq miliarderi amerikan, Bill Gates.
“Pas luftës në Ukrainë, ne nuk jemi ndjerë rehat që të bëjmë biznes me Rusinë”.
Veza dhe pula
Përmes energjisë bërthamore sigurohet 10 për qind e energjisë elektrike në botë.
Prandaj shumë shtete janë duke eksploruar projekte të reja bërthamore për të përmirësuar zinxhirët e furnizimit, si dhe për të ndihmuar në përmbushjen e synimeve për mosemetim të gazrave serrë.
Mirëpo meqë projektet e mëdha janë ende duke u përballur me sfida siç janë: kostoja e lartë, vonesat dhe garat mes kompanive, janë disa persona që kanë propozuar të ashtuquajturit reaktorë të vegjël modular.
Ndonëse reaktorët e tillë, që ofrohen nga kompanitë si EDF dhe Rolls-Royce, përdorin teknologjinë ekzistuese dhe naftën e njëjtë sikurse reaktorët tradicionalë, nëntë prej 10 reaktorëve të avancuar që janë financuar nga Uashingtoni, janë të dizajnuar që të përdorin uranium të pasuruar në nivele të ulëta.
Pëlqyesit e këtyre reaktorëve thonë se këto centrale të avancuara kanë pak nevojë për rimbushje me naftë bërthamore dhe janë tri herë me efiçiente sesa modelet tradicionale.
Disa analistë besojnë se kjo nënkupton se këta reaktorë do të zëvendësojnë teknologjinë bërthamore konvencionale, ndonëse dizajnet ende duhet testuar në shkallë komerciale.
Sipas grupit kërkimor, Projekti i Reformës së Inovacionit në Energji, kostoja që duhet paguar për energjinë e prodhuar nga sistemet e avancuara mund të shkojë në 60 dollarë për megavat në orë, derisa aktualisht një sasi e tillë energji paguhet 97 dollarë me centralet konvencionale.
Disa analistë besojnë se diferenca në çmim mund të jetë më e ngushtë aktualisht, sepse reaktorët e avancuar ende nuk kanë buxhet për prodhim në masë.
Kompanitë amerikane dhe ato evropiane planifikojnë të prodhojnë uranium të pasuruar në shkallë të ulët, edhe për qëllime komercialiteti, mirëpo edhe në skenarët më optimistë, ato besojnë se do të duhen të paktën pesë vjet për diçka të tillë.
Një enigmë e ngjashme me atë të vezës dhe pulës, edhe duke komplikuar zhvillimin e zinxhirit të furnizimeve me uranium.
“Askush nuk dëshiron të porosisë 10 reaktorë pa burime të naftës bërthamore, dhe askush nuk dëshiron të investojë në burime të naftës bërthamore pa pasur porosi për 10 reaktorë”, ka thënë Daniel Poneman, shef ekzekutiv i kompanisë për naftë të centraleve bërthamore, Centrus Energy Corp.
Për kompanitë e interesuara në reaktorët e avancuar, sikurse kompania publike e Uashingtonit, Energy Northëest, edhe furnizimet me naftë bërthamore janë temë diskutimi në procesin e vendimmarrjes.
“Furnizimi i qëndrueshëm me uranium është një prej çështjeve të diskutueshme”, ka thënë kompania në një përgjigje të nisur me postë elektronike.
Furnizimet alternative
Qeveria amerikane e ka kuptuar vite më parë se monopoli i Rusisë në këtë lloj uraniumi mund të zvarrisë zhvillimin e reaktorëve të avancuar që shpreson t’i ketë në shtëpi, por edhe që t’i shesë në Evropë dhe Azi.
Qeveria amerikane ka nënshkruar një kontratë më 2019 me kompaninë Centrus – të vetmen jashtë Rusisë që ka pasur licencë për të prodhuar uranium të pasuruar në nivel të ulëta – që të ndërtojë një fabrikë demonstruese.
Ndonëse planet kanë qenë që fabrika të nisë punën këtë vit, prodhimi është shtyrë për vitin 2023, kryesisht për shkak të vonesave në sigurimin e kontejnerëve të magazinimit, për shkak të problemeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, ka thënë Centrus.
Kur fabrika të hapet, asaj do t’i duhen pesë vjet për të nisur prodhimin e 13 tonëve të uraniumit në vit.
Mirëpo kjo shifër përbën vetëm një të tretën e sasisë që besohet se do t’iu duhet reaktorëve të avancuar amerikanë deri më 2030.
TerraPower, shembull, ka thënë se do t’i duhen 15 tonë të uraniumit për të mbushur me naftë bërthamore një reaktor të avancuar.
Prodhuesit tjerë potencialë të uraniumit të tillë janë shumë më mbrapa.
Kompania franceze për nxjerrje dhe pasurim të uraniumit, Orano, ka thënë se do të mund të nisë prodhimin e uraniumit pas pesë apo tetë vjetësh, mirëpo do të aplikojë për të marrë licencën për prodhim vetëm kur të ketë kontrata afatgjate.
Në përgjigje të kërkesës së Departamentit amerikan për Energji, sesi të krijohet program për prodhim të uraniumit, Orano ka thënë se i përket Qeverisë amerikane që të krijojë industrinë.
Kompania evropiane për pasurim të uraniumit, Urenco, ka thënë se do të konsiderojnë mundësinë e prodhimit të uraniumit në Britani të Madhe dhe SHBA, por ende nuk ka aplikuar për licencë.
Koha po ecën
Për kompanitë, TerraPower dhe X-energy, të cilat kanë projekte të planifikuara në shtetet amerikane Uajoming dhe Uashington, koha është duke ecur.
Uashingtoni u ka ofruar kontrata për të ndërtuar dy reaktorë demonstrues deri më 2028 dhe ka ndarë shpenzimet me to.
Mirëpo, pa naftën bërthamore ruse, planet mund t’i marrë era.
Ndonëse reaktorëve të avancuar u duhet uranium i pasuruar prej 20 për qind, në krahasim me armët, sa u duhet uranium me pastërti prej 90 për qind, megjithatë, kompanitë duhet të jenë të licencuara për të prodhuar diçka të tillë.
Përveç licencave, kompanitë duhet të kenë edhe një mori certifikimesh tjera.
Për të shpejtuar procesin dhe për të thyer bllokadën, Qeveria amerikane është duke menduar që të zvogëlojë nivelin e pastërtisë së uraniumit që ka nëpër rezerva, mirëpo edhe ky proces merr kohë.
Qeveria amerikane ka thënë më 2016 se ka arritur të ulë nivelin e pastërtisë së rreth 7.1 tonëve të uraniumit prej vitit 2013 deri më 2016.
E pyetur këtë muaj nëse procesi mund të shpejtohet, autoritetet amerikane kanë thënë se janë duke shqyrtuar vazhdimisht mundësinë e një përshpejtimit të procesit.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka nënshkruar në gusht të këtij viti një vendim për ndarjen e 700 milionë dollarëve për të siguruar uranium të pasuruar në nivele të ulëta për reaktorët e avancuar.
Në muajin shtator, Shtëpia e Bardhë i ka kërkuar Kongresit edhe 1.5 miliard dollarë për të financuar një projektligj që parasheh rritjen e prodhimit të uraniumit brenda shtetit, për të adresuar problemet në sigurim të naftës bërthamore ruse.
Ligjvënësit janë të ndarë, pasi për disa kostoja është e madhe, për të tjerët investimet në këtë industri janë të domosdoshme.
Vitin e kaluar, stacionet bërthamore në SHBA kanë importuar rreth 14 për qind të uraniumit të tyre nga Rusia, bashkë me 28 për qind të shërbimeve për pasurimin e tij, sipas Administratës amerikane për Informacioneve rreth Energjisë./REL

Top ChannelLexo me shume