Inflacioni në Gjermani bie me më shumë nga sa pritej, duke shkuar në 9.6%_663a01b90b99e.jpeg

Inflacioni në Gjermani bie me më shumë nga sa pritej, duke shkuar në 9.6%

Inflacioni në Gjermani pësoi një rënie më të madhe sesa pritej në dhjetor, duke shkuar në norma njëshifrore për herë të parë që nga vera dhe duke ofruar kështu një lehtësim për Bankën Qendrore Europiane në betejën e saj për të kontrolluar rritjen e çmimeve.
Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit ra në 9.6 për qind në muajin dhjetor, shumë më poshtë nga shifra 11.3 për qind që u regjistrua muajin e kaluar, pasi Berlini zbatoi masat për të mbrojtur konsumatorët nga çmimet e larta të gazit.
Kjo shifër, e publikuar nga agjencia federale e statistikave ditën e martë, ishte gjithashtu më e ulët se parashikimi prej 10.7 për qind nga ekonomistët e anketuar nga Reuters.
Ekonomia më e madhe e eurozonës është vendi i fundit që pati një rënie më të madhe sesa pritej në presionet e çmimeve.
Rënia e shifrës së inflacionit në Gjermani nga piku i shtatë dekadave të fundit prej 11.6 për qind që u arrit në tetor, pason rënien e konsiderueshme të inflacionit në Spanjë dhe mund të lehtësojë presionin ndaj BQE-së, e cila do të mblidhet për të përcaktuar normat e reja më 2 shkurt.
Shifrat e inflacionit në Gjermani dhe në Spanjë sugjerojnë se inflacioni i eurozonës mund të bjerë më poshtë se parashikimi i ekonomistëve prej 9.7 për qind, kur të dhënat të publikohen të premten.
Robin Brooks, kryeekonomist në Institutin e Financave Ndërkombëtare, një organizëm tregtar për financat globale, tha se rënia do të thoshte që “kulmi i shtrëngimit të politikave monetare nga BQE ka mbetur prapa nesh”.
Euro u tregtua 0.9 për qind më pak kundrejt dollarit ditën e sotme, në 1.056 dollarë.
“Inflacioni në Gjermani duket se ka arritur kulmin e tij dhe, nëse nuk ka një rritje tjetër të madhe të çmimeve të energjisë, atëherë kemi arritur t’i lëmë pas normat dyshifrore të inflacionit për një kohë të gjatë,” tha Carsten Brzeski, ekonomist në ING Bank.
Megjithatë, të tjerë paralajmëruan se natyra e ngadalësimit të inflacionit, i cili u nxit kryesisht nga reduktimi i çmimit të gazit nga qeveria, nënkuptonte se BQE-ja ka gjasa të rrisë normat me 50 pikë bazë në shkurt.
Inflacioni i energjisë, i cili u rrit pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, u ngadalësua duke rënë në 24.4 për qind në muajin dhjetor, nga 38.7 për qind që ishte muajin e kaluar dhe shumë më poshtë pikut prej 43.9 për qind që u arrit në shtator, duke reflektuar kështu ndikimin e subvencioneve të qeverisë.
Ndërkohë, inflacioni i shërbimeve – një indikator më i mirë i presioneve bazë të çmimeve – u rrit në 3.9 për qind, nga 3.6 për qind që ishte në nëntor./ FT

Burimi