Influencers e “Meme-Stock” akuzohen për skemën e mashtrimit financiar prej 114 milion dollarësh_663a01e2acd4c.jpeg

Influencers e “Meme-Stock” akuzohen për skemën e mashtrimit financiar prej 114 milion dollarësh

Influenceri i mediave sociale @MrZackMorris dhe disa persona të tjerë aktivë në trendin e vitit të kaluar, të njohur si “Meme-Stock”, janë akuzuar nga prokurorët federalë në SHBA për përfshirje në një skemë mashtrimi financiar prej 114 milionë dollarësh në tregun e aksioneve.
Edward Constantinescu, i njohur në Twitter si “@MrZackMorris” dhe Perry Matlock, i cili njihet në Twitter me emrin “@PJ_Matlock”, ishin midis të pandehurve në gjykatën federale në Hjuston, sipas një aktakuze të bërë publike të martën.
Constantinescu dhe Matlock janë bashkëthemelues të Atlas Trading, një forum për tregtimin e aksioneve në platformën e mediave sociale Discord. Konstantinesku ka më shumë se 550,000 ndjekës në Twitter, sipas Komisionit të Sigurimit dhe Shkëmbimit të Instrumenteve Financiare në SHBA, i cili ishte organi që paditi tetë persona. Nga ana tjetër, Matlock ka 340,000 ndjekës.
Aksionet që ata kanë promovuar ishin në kompani jo shumë të njohura, duke përfshirë GTT Communications Inc., Surface Oncology Inc. dhe Universe Pharmaceuticals Inc., sipas aktakuzës. Prokurorët thanë se skema e mashtrimit financiar u zhvillua nga janari i vitit 2020 deri në prill të vitit 2022.
Gjendja e llogarisë bankare të MrZackMorris pati disa rritje të menjëhershme gjatë tregtimit të aksioneve në periudhën e pandemisë, gjë e cila nxiti të ashtuquajturat “aksionet meme”, të tilla si GameStop dhe AMC. Constantinescu, një emigrant nga Rumania, tërhoqi mijëra tregtarë të aksioneve në grupin e tij Discord, duke ofruar këshillat dhe rekomandimet e tij lidhur me tregtimin e aksioneve.
Këto praktika u ndoqën gjatë periudhës së pandemisë në platformat e mediave sociale, si nga tregtarë amatorë ashtu edhe nga ata profesionistë, të cilët u përpoqën të shfrytëzonin kërkesën për analiza lidhur me mundësitë e investimeve në aksione. Në një paraqitje në Twitter Spaces vitin e kaluar, Constantinescu ia atribuoi AMC suksesin e tij në tregtimin e aksioneve, e cila ishte një nga aksionet që ai promovonte më shpesh.
Të akuzuar ishin gjithashtu Thomas Cooperman (“Tommy Coops”) Gary Deel (“Mystic Mac”), Mitchell Hennessey (“Hugh Henne”), Stefan Hrvatin (“LadeBackk”), Daniel Knight (“Deity of Dips”) dhe John Rybarczyk (“Ultra Calls, “The Stock Sniper”).
Sipas qeverisë amerikane, të pandehurit mashtruan ndjekësit e tyre duke u thënë se po planifikonin që t’i mbanin këto aksione për një kohë të gjatë, kur në fakt ata thjesht po përpiqeshin të rrisnin çmimet e këtyre aksioneve për t’i shitur ato më pas me çmime më të larta.
Prokuroria pretendon se Matlock dhe të tjerët po i shisnin aksionet e tyre me çmime të fryra artificialisht./ Bloomberg

Burimi