Inside Story/ Fasada e dy qeverive! Marrëveshje ekonomike që riciklohen, nënshkrime fiktive Shqipëri-Kosovë

Shqipëria dhe Kosova kanë zhvilluar 8 mbledhje të përbashkëta qeverie vitet e fundit ku janë nënshkruar rreth 130 marrëveshje. Një pjesë e madhe e nënshkrimeve rezultojnë fiktive pa prodhuar asgjë në afrimin dhe lehtësimin e shkëmbimeve mes dy shteteve të një kombi.

Nga problemet te shkëmbimet tregtare, te ngecja e projekteve energjetike, infrastrukturore, arsimore dhe ato të kërkimit shkencor. Cilat janë efektet reale të mbledhjes së dy qeverive dhe ngërçet që bllokojnë integrimin me interes kombëtar.
Një prej akcizave që aplikohet në Shqipëri, është edhe akciza për ambalazhe të plastikës prej 35 lekë për kilogram. Kjo barrierë tarifore është raportuar nga eksportuesit e çokollatës dhe ujërave të ambalazhuara, për shkak se ndikon në rritjen e çmimit final të produktit.

Gjithashtu, për shkak që kjo akcizë është vetëm 10 lekë në kilogram për lëndën e parë për prodhuesit e plastikës në Shqipëri, produktet e importuara diskriminohen negativisht dhe janë më pak konkurruese në treg.
Deri tani kemi listuar një sërë problematikash me të cilat përballen bizneset pavarësisht marrëveshjeve të të dy qeveri si dhe marrëveshjes CEFTA.
Sipas ish kryeministrit të Kosovës, Avdulla Hoti e vetmja mundësi e sheshimit të tyre, është unifikimi i tregjeve dhe i shoqërisë.
“Ne nuk duhet të pretendojmë që të bëjmë marrëveshje teknike për fusha të caktuara . Unë besoj se marrëveshjet duhet të jenë më shumë të unifikimit të tregjeve dhe të shoqërisë ku marrëveshjet që nënshkruhen të bëhen pjesë e një buxheti të rregullt”, u shpreh ish kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti.
Nëse bëjmë një përmbledhje të të gjitha marrëveshjeve, protokolleve dhe memorandumeve të bashkëpunimit në sektorin e ekonomisë janë mbi 25 të tilla.

Efektet e përbashkëta për zbatimin e tyre, ende nuk është gjetur e mesmja e artë për biznes këtej dhe përtej kufirit. Edhe marrëveshjet në sektorin e ekonomisë kanë përsëritje vit pas viti.
Nëse i referohemi përgjigjes zyrtare të marrë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të shohim se herë pas here kemi risjellje të marrëveshjeve në mbledhjet e qeverive.
Po sjellim një shembull për të kuptuar si funksionon. Në mbledhjen e 26 nëntorit 2021 është nënshkruar marrëveshja për sigurimet shoqërore mes dy vendeve. Një vit më pas në 20 qershor 2022 është nënshkruar përsëri një marrëveshje për zbatimin e marrëveshjes së firmosur një vit më parë për sigurimet shoqërore.
Kjo tingëllon më tepër se ironike. Pra, është nënshkruar një marrëveshje e re për të vënë në zbatim diçka për të cilën ishte rënë dakord mes palëve.
Në këtë situatë, duket sikur jemi përballë një inflacioni memorandumesh mes dy shteteve të një kombi që kujdesën për fasadën më tepër se sa për impaktin real.

Top ChannelLexo me shume