Interpelanca për mbylljen e kolegjit/ Zhupa: “Mehmet Akif Ersoy”, kushte më shumë se çdo shkollë publike! Kushi: Ja çfarë shkeljesh gjetëm…

Deputetja demokrate Ina Zhupa zhvilloi një interpelancë me ministren e Arsimit, Evis Kushi në Kuvend, ku i kërkoi arsyet se përse u mbyll kolegji privat “Mehmet Akif Ersoy”.

Sipas Zhupa, arsyetimi i Ministrisë së Arsimit, se shkolla nuk plotësonte standardet për zhvillimin e procesit arsimor, është i pavend, pasi në shumë shkolla publike në vendin tonë, mësimi zhvillohet në mungesë të kushteve bazë. “Nxënësit diskutojnë se kush do i marrë drurë nga shtëpia, e bëjnë me radhë, se ngrohen në kushte primitive”, tha ajo.
Kushi, në fjalën e saj, tha se mbyllja e kolegjit ishte e drejtë, ndërsa shpjegoi se nxënësit tashmë janë zhvendosur dhe po kryejnë mësim.

“Gjykata e ka thënë fjalën e parë, duke i dhënë të drejtë Ministrisë së Arsimit për mbylljen e këtyre institucioneve.
Të gjithë nxënësit janë sistemuar në shkollat dhe kopshtet e tjera dhe po vijojnë procesin arsimor. Në lidhje me arsyet ligjore të vendimit, shkolla ‘Mehmet Akif Ersoy’, ka pasur disa shkelje:
Ka ndryshuar vendndodhjen pa marrë miratimin nga Ministria e Arsimit. Ky institucion arsimor i ka dërguar dy shkresa Ministrisë së Arsimit, por MASH nuk i ka miratuar për shkak se pas kontrolleve, ka konstatuar probleme me kushtet higjeno-sanitare, ndriçimin, palestrën. E njëjta gjë dhe me kopshtin që u mbyll”, u shpreh Kushi në fjalën e saj në Kuvend.
Vetë nxënësit e shkollës private “Mehmet Akif Ersoy” kanë dalë disa herë në protestë për të kundërshtuar vendimin e qeverisë që vendosi mbylljen e këtij institucioni arsimor, me arsyetimin se ka identifikuar një sërë shkeljesh të legjislacionit në fuqi.
Sipas përfaqësuesve të institucionit ky veprim është i padrejtë, pasi shkolla prej dy dekadash, që nga viti 2004 vepron me cilësi dhe standardet më modern, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme nga kushdo.

Top ChannelLexo me shume