Irani: Katër persona kanë vdekur në burgun famëkeq Evin

Katër persona vdiqën nga tymi dhe 61 të tjerë u plagosën në burgun famëkeq Evin, në kryeqytetin iranian, i cili strehon të burgosur politikë dhe protestues anti-qeveritar, tha gjyqësori iranian më 16 tetor.

Lajmi vjen pasi Irani kritikoi presidentin amerikan, Joe Biden, për mbështetjen e protestave që kanë tronditur Iranin, që kur një grua e re u vra në paraburgim nga policia.
Flaka dhe tymi që dilnin nga burgu Evin i Teheranit shumë të dukshme në mbrëmjen e 15 tetorit, derisa protestat anti-qeveritare mbarëkombëtare të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Aminin hynë në javën e pestë.

Në videot online dëgjoheshin të shtëna armësh dhe shpërthime në zonën e burgut.
Mediat iraniane thanë se katër personat që vdiqën ishin në burg për akuzat për grabitje.
Regjisori iranian, Jafar Panahi, më 16 tetor arriti të telefonojë gruan e tij nga burgu Evin, për t’i treguar se ai dhe shoku i tij regjisor, Mohammad Rasoulof, janë mirë dhe se autoritetet kishin përdorur gaz lotsjellës gjatë trazirave, raportoi Shërbimi Iranian i REL-it.
Një gazetari të REL-it i ishte thënë se një trazirë filloi më 15 tetor në repartin e shtatë të burgut.
Ky burg u fut në listën e zezë nga Qeveria amerikane në vitin 2018, si një vend me “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.
Irani është tronditur nga protesta mbarëkombëtare – një nga sfidat më serioze për Qeverinë islamike që nga revolucioni i vitit 1979.

Top ChannelLexo me shume