Ish shefit të Policisë i sekuestrohen mbi 3 mln euro prona, AMP shmangu hetimin pasuror_664340a8e94e5.png

Ish shefit të Policisë i sekuestrohen mbi 3 mln euro prona, AMP shmangu hetimin pasuror

Hetimi pasuror ndaj ish-drejtorit të Forcës Operacionale, Oltian Bistri i ndaluar si pjesë e një organizate kriminale të akuzuar për dhjetëra vepra penale të rënda, ka zbuluar dhjetëra pasuri të paluajtshme në emër të tij dhe të familjarëve, me vlerë mbi 3 mln euro.
Prokuroria e Posaçme njofton se ndaj Bistrit dhe familjarëve të tij (të cilët kanë pasur transaksione të lidhura apo të dyshuara se janë kryer për shtetasin Oltian Bistri), janë kryer të gjithë verifikimet pasurore të mundshme, prej të cilave kanë rezultuar se ato zotërojnë pasuri, vlera e të cilave është disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të përfituara prej tij dhe familjarëve të tij.
Pasuritë e sekuestruara
Në vijim, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Posaçme, me vendimin Nr.19, datë 03.05.2024, ka vendosur sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit Oltian Bistri dhe familjarëve të tij.
Në total janë sekuestruar   22 – Njësi (dyqane/ambiente biznesi); 10 apartamente; 1  vilë; 1  truall; 1  garazh dhe 1 automjet. “Vlera totale e blerjes së pasurive të sekuestruara sipas çmimeve të përcaktuara në kontratat noteriale është 3.091.519 Euro”, njofton SPAK.
Pasuritë e sekuestruara me vendim gjykate:

18 Njësi (dyqane) + 1 Apartament, të ndodhura në rrugën “Todi Shkurti”, Tiranë;
Apartament me sipërfaqe totale prej 400 m2, kati i 6 (gjashtë), ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
 Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 200 m2, Zona Kadastrale 8270, ndodhur në “Rrugën e Kosovarëve”, Tiranë;
 Apartament me sipërfaqe 66.5 m2,  ndodhur në kompleksin “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
Apartament me nr. 18/C, kati i shtatë teknik/8 ndërtim, me sipërfaqe 73.16 m2, i ndodhur në godinën 1, në “Kompleksin Delijorgji”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
Apartament me sipërfaqe 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
 Njësi (dyqan) me sipërfaqe 125 m2, në katin e parë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
Apartament me sipërfaqe 138.3 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;
Garazh me sipërfaqe 87.8 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;
 Apartamenti me sipërfaqe 100.6 m2, në katin e dhjetë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
Njësi (dyqan) me sipërfaqe ndërtimore 72 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
 Vila A14, në rezidencën “Green Valley”, Tiranë;
Apartament me nr. 3, kati i katërt, me sipërfaqe 58.5 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;
partament me nr. 9, kati i dytë, me sipërfaqe 58.9 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;
 Pasuri e llojit njësi (dyqan), me sipërfaqe ndërtimore 110 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe totale 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;
 Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe totale 95 m2, në katin e parë,  ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;
 Automjet i markës “Land Rover” model “Range Rover Sport”, vit prodhimi 2012;

Prokuroria e Posaçme sqaron se ka ekzekutuar vendimin e  Gjykatës dhe të gjitha pasuritë e mësipërme janë marrë në administrim nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Brendshme.
AMP shmangu hetimin pasuror
Pasuritë e Oltian Bistrit kanë qenë objekt hetimi edhe në procesin administrativ të kryer nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, kur i është nënshtruar rivlerësimit kalimtar në cilësinë e drejtorit të Forcës së Posaçme Operacionale. Por, siç është zbuluar nga raportimet mediatike, pak ditë para se të arrestohej si pjesë e një organizate kriminale, Bistri u transferua me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në detyrën e specialistit në sektorin për Krimet në Volum.
Më 28 korrik 2023, kur SPAK njoftoi rezultatet e operacionit ndaj organizatës kriminale ku bënte pjesë dhe Bistri, trupa e vlerësimit e Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, e kryesuar nga Erjana Pjetri, me relatore Ersa Karaj dhe anëtar Klevis Dhigoi, vendosi të ndëpresë vetingun e Bistrit pa vendim përfundimtar, duke e shmangur dhe nga verifikimi pasuror me argumentin se pozicioni ku ai ishte transferuar para pak ditësh, ishte jashtë fushës së veprimtarisë së vlerësimit kalimtar.
Hetimet: Bistri informator i krimit brenda Policisë
SPAK zbardhi një vrasje dhe tri tentativa vrasjesh falë bisedave të grupeve kriminale të kryera në aplikacionet ‘SKY’ dhe ‘Encro chat’, ku u zbulua se ish-shefi i Operacionales Bistri, komunikonte me biznesmenin Pëllumb Gjoka, (i arrestuar) pasi ushtronte veprimtari të lojërave të fatit në Tiranë në mënyrë të kundraligjshme.
Ish Shefi i Operacionales, i tregon sesi ka hyrë ‘mik’ që të mbante fjalën e tij dhe kazinoja e Pëllumb Gjokës mos të prekej. Në disa prej bisedave të dala nga dosja, ku Gjoka dhe Bistri komunikonin në ‘Sky’, duket se Bistri shërbente si informatori i gjithçkaje çfarë ndodhte në godinën e Policisë së Shtetit.
Ai po hetohet nën masën e sigurisë arrest në burg pas arrestimit.

Burimi