Iu rikthye garave disa muaj pas lëndimit në krahë, xhudistja nga Kosova: Bëra stërvitje tre ditë pas operacionit

Nora Gjakova i siguroi një tjetër medalje Kosovës. Ajo fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin, të mbajtur në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Kjo ishte medalje e parë dhe gara e parë për Norën që nga Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, pasi xhudistja pësoi një lëndim në krahë.

Në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, xhudistja foli për lëndimin që pësoi, ku iu desh të shkëputej nga garat për më shumë se gjashtë muaj. Xhudistja e njohur tha se krahun e kishte lënduar prej kohësh dhe madje ka mbajtur dhe disa ndeshje pa kuptuar asgjë.

“Ka qenë një lloj lëndimi që zakonisht merr 4-6 muaj. Jam rikthyer për 6 muaj e gjysmë. Lëndimi ka ardhur në mënyrë graduale, ishte një lëndim i vjetër. Kam garuar me këtë lëndim dhe në lojëra të tjera. Më pas, shfaqën simptomat.”, tha Nora duke shtuar se iu rikthye stërvitjes tre ditë pas operacionit.

Sot, ajo numëron shimë trofe, por si janë fillimet e saj. Pse zgjodhi xhudon? E pyetur për këtë, Nora tha: “Me xhudon kam filluar kur kam qenë 10 vjeç bashkë me vëllain. Na dërgoi babi. Për shkak se në atë kohë, në qytetin tonë njihej shumë trajneri Driton Kuka, dhe kishte qejf të stërviteshim.”

Sa i përket sportiteve nga Serbia, Nora shtoi: “Ka kohë që ndeshemi me xhudiste të Serbisë. Mirëpo, asnjëherë nuk kam menduar ndryshe. E cilësoj si garuese të çdo lloj shteti tjetër. Jap më të mirën si ndaj saj dhe ndaj të tjerëve. Nuk kam dëshirë ta lidh me anën politike.” /abcnews.al

Lexo me shume