“Jam i frikësuar, askush nuk na mbron” Tetova apel FSHF-së e sulm arbitrit, Deliallisi: “Ishim superiore”

“Kishim një pjesë të parë të balancuar me disa gabime nga ana jonë, nuk mendoj se kishte presion shumë të madh nga ekipi i Erzenit në këtë pjesë. Thjesht ia dhamë ne topin në rastet që u krijuan. Pastaj ajo dalje me karton të kuq nuk e kuptoj pse të ndodhte, se provokimet erdhën nga stoli, me atë rast mendoj se u mbyll gjithçka”. Edlir Tetova e ka humbur qetësinë pas humbjes me Erzenin, që e ka mbajtur Egnatian tre pikë larg Vllaznisë ndjekëse. Tekniku i rrogozhinasve pastaj bëri një apel drejtuar FSHF-së: “Nuk është se jam i qetë, jam pak i frikësuar se këtu çfarë nuk ndodhi. Ka presion të vazhdueshëm, pati edhe përleshje fizike. Unë nuk e kuptoj këtë lloj presioni çfarë është. Njerëz civilë, përderisa nuk ka kush të mbrojë, ndodhin këto gjëra”.
Tetova pastaj u vërsul kundër arbitrit, për kartonin e kuq ndaj Spahiut: “I kuqi? Ngrihen stoli i Erzenit, shajnë lojtarin, ai shan mbrapsht. Të njëjtën gjë bëri edhe mbrojtësi i majtë i Erzenit, shau arbitrin e katërt. E njëjta situatë, lojtari im dënohet, i tyre jo. Suksese”.
DELIALLISI: “ISHIM SUPERIORE”
“Dua të komplimentoj djemtë-për ndeshjen perfekte që zhvilluan. Merita u takon vetëm atyre, mënyra si e interpretuam ndeshjen nga e para deri në fund ishte gati në perfeksion. E neutralizuam kundërshtarin në çdo mënyrë, asnjë rast të pastër, duke ditur vlerat e vendin që ka kundërshtari. Në çdo rast ishim superiorë”. Alfred Deliallisi, tekniku i Erzenit, është i kënaqur për mënyrën si është shprehur skuadra e tij dhe rezultati i marrë. Natyrisht, fitorja ndaj kryesuesve është një motivim për të tentuar deri në fund mbijetesën.
Lexo më tej: Video/ Zeka spektakolar, i jep shpresë Erzenit: nuk reziston dot Egnatia me 10 lojtarë
Një koment edhe për lojtarët e marrë në janar, nga vetë tekniku Deliallisi: “E kam thënë që prurjet e reja kanë dashur kohën e vet realisht. Edhe me Vllazninë kemi bërë ndeshje jashtëzakonisht shumë të mirë, me Laçin nuk ishte ndër më të mirat, por nuk u mundëm. Tani kanë hyrë në sinkron, kemi afruar shumë lojtarë në janar, kanë dashur kohën dhe tani është grupi i plotë. Koha nuk premton, por matematika na e lejon dhe jemi në rrugën për të arritur objektivin e sezonit”.

Burimi