Kampione në 21 km, Luiza Gega thyen rekordin e vetes

Luiza Gega është kampionia e garës 21 km në Maratonën e Tiranës. Kampionia ka thyer rekordin e mbajtur më parë nga vetë ajo, me kohën 70  minuta e 18 sekonda. Në një lidhje me Klan Neës, Gega rrëfen eksperiencën me këtë rikthim në një garë rruge, e cila vjen pas një sezoni të ngjeshur për sportisten.

Luiza Gega: Sot garova në disiplinën 21 km, ndryshe gjysmë-maratonë. Theva rekord të ri kombëtar, rekordi mbahej po nga unë në fakt. E kam thyer këtë në Prill, pikërisht në kampionatin  që mbahej këtu në Tiranë që mbahej me kohën 70 minuta e 58 sekonda, ndërkohë që koha e sotme ishte 70 minuta e 18 sekonda, përmirësova 40 sekonda në rekord. Të them të drejtën isha skeptike në fillim duke qenë se kam pasur një kohë shumë të shkurtër përgatitjeje sepse kam ardhur nga një sezon shumë intensiv dhe i dhashë vetes pak kohë pushimi për të rifilluar, por gara shkoi shumë mirë. Ajo që më gëzon është se vazhdoj të jem në një performancë shumë të mirë. Trajneri kishte besim që mund t’ia dilja. U mundova fort gjer në fund edhe pse u lodh të them të drejtën, u lodha sepse kërkon një përgatitje shumë të madhe, qoftë 21, akoma më shumë edhe 42, kërkon një përgatitje më specifike, por shkoi mirë, organizimi ishte shumë mirë.

Gega shtoi se organizimi ka ardhur në përmirësim vit pas viti, ashtu si edhe pjesëmarrja e njerëzve. Ajo vlerësoi rëndësinë e këtij eventi dhe u shpreh e lumtur që edhe Tirana më në fund ka maratonën e saj si kryeqytetet e tjera të botës. Ndër të tjera, kampionia rrëfeu dhe për numrin e rekordeve këtë vit si dhe synimet e së ardhmes.

Luiza Gega: Janë shumë. Besoj që unë nuk i kam numëruar. Di që vetëm që këtë vit kam thyer mos gaboj, 6 rekorde, sigurisht në disiplina të ndryshme. Në garat e pistës, sepse unë aty jam edhe në fokus, gjer për Lojërat Olimpike Paris 2024  sepse unë aty jam në fokus, te garat e pistës dhe te gara ime që unë kam shumë vite që stërvitem 3000 metra me pengesa, por që besoj shumë që në të ardhmen do t’i marr seriozisht akoma më shumë garat e rrugës për të sjellë rekorde më të mëdha sepse sigurisht nuk e kam marrë maksimumin në garat e rrugës, këto vijnë thjesht si një përgatitje e mirë që unë bëj për garat e pistës, por që më vjen natyrshëm pastaj ky rekordi i rrugës, por kam akoma për të dhënë në garat e rrugës, në qoftë se unë stërvitem më specifikisht, pikërisht për këto gara./tvklan.al

Lexo me shume