Këngët napoletane/ Në Durrës u zhvillua edicioni i tretë i festivalit të studentëve

Studentë të akademisë së arteve dhe liceut artistik ”Jan Kukuzeli” të Durrësit sollën mbrëmjen e kaluar këngët e bukura napoletane dhe ritmet e saj.

Edicioni i tretë i festivalit të këngës napoletane u zhvillua në sallën e teatrit të Durrësit ku studentë dhe nxënës të kantos konkurruan me njëri-tjetrin para publikut artdashës dhe jurisë së festivalit e përbërë nga emra të njohur të muzikës shqiptare dhe italiane me kryetar tenorin e mirënjohur Kastriot Tusha, i cili vlerësoi prurjet dhe interpretimin e lartë të këngëtarëve, ndërsa theksoi se vitin e ardhshëm ky festival që lindi në kohët e vështira të pandemisë,  duhet të zhvillohet edhe në Tiranë.
Kejthin Gjata dhe Kristo Qerama ndanë mes tyre çmimin e parë të këtij festivali, që pati të ftuar dhe këngëtaren napoletane Imma D’Inverno që solli fuqinë e këngës tradicionale napoletane dhe sensualitetin e saj.

I organizuar nga çifti i artistëve, napoletani Giuseppe Palumbo dhe këngëtarja Julieta Strefi Palumbo, me mbështetjen e bashkisë dhe ambasadës italiane, festivali përcjell historinë e këngës napolitane, që pëlqehet e këndohet gjerësisht edhe për shkak të elementëve të që lidhin klasiken me tradicionalen, etniken, ritmin me dëshirën për të jetuar e shijuar, si dhe elementët e përbashkët me muzikën e Mesdheut.

Top ChannelLexo me shume