Kërkesë e lartë për heqje ekspulsi/ Janë dyfishuar ndëshkimet për shqiptarët që kapen në Angli e Francë

Kemi “boom” kërkesash të shqiptarëve që i kthejnë nga Anglia dhe që kërkojnë heqje ekspulsi, për të shkuar sërish me gomone atje, sipas avokatëve.

Të dhënat zyrtare nga Britania e Madhe tregojnë se deri në fillim të tetorit, kanë shkuar me gomone drejt Anglisë gati 6100 shqiptarë. Ata renditen si afganët dhe iranianët, që I largohen dhunës dhe varfërisë nga vendet e tyre të zhytura në konflikte të brendshme. Me profesion avokate, Leonora Rexha tregon se merret me ekspulset, deportimet dhe ekstradimet e shqiptarëve. Ajo evidenton së fundi rritjen e kërkesave të shqiptarëve për heqje ekspulsi.
“Muajt e fundit ka një boom rastesh të personave që janë kthyer nga Anglia apo personave që janë deportuar nga Franca apo Holanda, por të kapur duke tentuar që të ikin për në Angli. Të dy shtetet si Franca, si Holanda kanë të njëjtin qëllim, I kapin personat që tentojnë të ikin për Angli, dhe i kthejnë për në Shqipëri, duke u vendosur ekspuls apo deportim për 1 ose 3 vite“, thotë avokatja Leonora Rexha.

Nëse vjet deri në fund të vitit kemi pasur diku tek 600-700 raste që kërkonin heqje ekspulsi apo deportimi, tashmë këtë vit deri në muajin Tetor mund të kemi tek 1400-1500 raste të cilat janë vetëm për ekspulse, verifikime, heqje, deportime në lidhje me personat që tentojnë të ikin qoftë në zonën Shengen, qoftë në Angli.
Unë mund të them që tashmë shumica e të rinjve shqiptarë, dhe jo vetëm e tyre por edhe te familjarëve, tentojnë të ikin në Angli. Nëse nuk munden në rrugë ligjore, pra më vizë turistike apo vizë pune, sepse janë shtrënguar shumë masat, ata mundohen të largohen në mënyrë ilegale.
Mund të them që nga 5-7 klientë që më vijnë gjatë ditës në zyrë, 4 prej tyre janë për heqje ekspulsi dhe që më thonë, të lutem bëj ç’është e mundur për ta hequr atë. E vetmja fjali që më thonë është çfarë mund të bëj unë më 300-350 mijë lekë të vjetra në muaj.

Top ChannelLexo me shume