Kina pritet të bëhet më autoritare ndërsa udhëheqësi i saj kërkon një mandat tjetër pesëvjeçar

Kongresi i Partisë Komuniste të Kinës pritet t’i japë një mandat të tretë pesëvjeçar Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Xi Jinping këtë muaj.

Ekspertët i thanë korrespondentes së Zërit të Amerikës Nike Ching, se zoti Xi pritet ta udhëheqë Kinën drejt një qeverisjeje edhe më autoritare, ndërsa të tjerë parashikojnë një rritje të konkurrencës midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Rreth 2,300 delegatë do të mblidhen të dielën në Pekin për të zgjedhur komitetin qendror të Partisë Komuniste Kineze në pushtet, dhe më pas Byronë Politike të partisë.

Delegatët pritet t’i japin një mandat të tretë udhëheqësit aktual Xi Jinping për të drejtuar ekonominë e dytë më të madhe në botë dhe një nga ushtritë më të mëdha të botës.
“Qëllimi i përgjithshëm i këtyre kongreseve është të përcaktojë tonin, drejtimin e politikave për pesë vitet e ardhshme. Ky është një vit i veçantë sepse vëmendja do të jetë e përqendruar tek një njeri, Xi Jinping, i cili ka qenë tashmë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Kineze për 10 vjet dhe ai do të zgjidhet për një mandat të tretë pesëvjeçar që në thelb mund ta bëjë atë udhëheqës të Kinës për një brez të tërë”, thotë eksperti i Qendrës Wilson, Robert Daly.
Kongresi i 20-të i Partisë Komuniste të Kinës fillon punimet disa ditë pasi Shtëpia e Bardhë publikoi strategjinë e saj të sigurisë kombëtare që e identifikon Kinën si një konkurrente të ashpër të Shteteve të Bashkuara.
“Kina përfaqëson sfidën më të rëndësishme gjeopolitike të Amerikës. Konkurrenca me Kinën është më e theksuar në Indo-Paqësor, por ajo është gjithashtu gjithnjë e më globale”, thotë Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.
Por Shtëpia e Bardhë thotë se Uashingtoni nuk dëshiron konflikt.
“Ne duam ta bëjmë të qartë përsa i takon konkurrencës se ne bëjmë dallim mes popullit kinez dhe politikave dhe strategjive që ndjek qeveria e Kinës”, tha zoti Sullivan.
Një ish zyrtar i Departamentit të Shtetit thotë se Kina do të ketë një qeveri më autoritare.
“Ka shumë të ngjarë që Xi Jinping të vazhdojë të sundojë Kinën si një diktator suprem sepse në atë lloj sistemi nuk ka nivel të mjaftueshëm pakënaqësie që mund të çojë në ndryshim të rezultatit përfundimtar”, thotë ish zyrtari i Departamentit të Shtetit, Miles Yu, i cili tani punon në Institutin Hudson.
Në Kinë, ka patur një numër protestash të rralla kundër politikave të qeverisë para fillimit të Kongresit të Partisë. Pankartat e varura në një mbikalim në Pekin u hoqën shpejt nga autoritet. Analistët thonë se kjo është një shenjë se më shumë kinezë janë lodhur nga politika e ashpër zero-Covid.
“Ne vazhdojmë, siç kemi bërë lidhur me të gjitha rajonet e tjera të botës, ta bëjmë të qartë se ne besojmë në të drejtën themelore për protesta paqësore dhe se njerëzit në mbarë botën, pavarësisht se ku jetojnë, qeverinë nën të cilën ata jetojnë, duhet të kenë të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të bërë zërin e tyre të dëgjohet pa frikë nga hakmarrja ose dhuna”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Zoti Kirby i tha Zërit të Amerikës se administrata e Presidentit Biden do të jetë “e përqendruar” në sfidat që Pekini paraqet për pjesën tjetër të botës./ Zëri i Amerikës

Top ChannelLexo me shume