Kodi i ri Penal, Çela kundër: Ai që kemi është i mirë

Kryeprokurori Olsjan Çela ka deklaruar se Shqipëria nuk ka nevojë për një Kod të ri Penal, nismë që është paralajmëruar nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Në fjalën e tij gjatë raportit vjetor të veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm gjatë vitit 2023, Çela theksoi se Kodi aktual Penal  mund të ketë nevojë vetëm për përmirësim të dispozitave, por i përgjigjet nevojave të kohës.
“Ne jemi duke funksionuar sot me një kod penal që i është përgjigjur shqetësimeve, sfidave problemeve. Procesi ligjvënënës në Shqipëri ecën shpejt, kjo ka edhe problematikat e veta, por megjithatë, ne kemi një kod të plotë për t’iu përgjigjur luftës kundër kriminalitetit. Ngga lindi nevoja për një kod të ri penal, kush e ka hedhur idenë që ky kod nuk i përgjigjet nevojave të kohës? Unë s’kisha dëgjuar shqetësime brenda sistemit që ky kod që kemi është i paplotë. Kjo është pikënisja e debati, nga doli? Edhe nëse do themi po kemi nevojë për njnë kod të ri penal,. duhet të jepen argumente. Cila do jetë filozofia e kodit? Kjo kërkon debat të madh publik. Cila do jetë trajtimi që do i bëjmë çështjeve që kanë të bëjnë me narkotikët, për ashpërsimin apo lehtësimin e disa masave? Si jemi me botën sa i përket sanksioneve? Cilat do jenë modelet që do ndjekim?”, tha Çela.
Kryeprokurori sqaroi se Kodi aktual penal nuk krijon asnjë problem serioz në administrimin e shtetit, drejtësisë apo jetës shoqërore. Çela theksoi se po tentohet të bëhet një kod nga asgjëja.
“Pra, pa evidentuar problemet që kemi dhe si u përgjigjet Kodi i ri Penal, ne sot do duhet të kishim nga institucione të caktuara evidentimin e  çështjeve serioze në drejtim të aplikimit të ligjit penal i cili nuk është efikas në drejtim të goditjes së një fenomeni të caktuar. Unë s’kam informacion që kodi aktual penal po krijon probleme serioze në drejtim të administrimit e shtetit, të drejtësisë, të jetës shoqërore. Atëherë nëse s’kemi këtë të dhënë do bëjmë Kod nga asgjëja? Kodi mund të ketë nevojë për sistemim të dispozitave, por kemi kod të mirë”, theksoi ai.

Burimi