Konfirmimi i prokurorit Gëzim Çopa ankimohet në Kolegj_6643b39fd18f0.jpeg

Konfirmimi i prokurorit Gëzim Çopa ankimohet në Kolegj

Komisionerja Publike, Irena Nino ankimoi të martën më 14 maj vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Durrësit, Gëzim Çopa. Nino ndan qëndrim të ndryshëm nga shumica e trupës së KPK që konfirmoi në detyrë Çopën dhe i kërkon Kolegjit shkarkimin e tij nga detyra për mungesë burimesh e deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe për gjetjet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit që në vlerësimin tërësor i konsideron në cënim të besimit të publikut tek drejtësia.
Gëzim Copa filloi punë si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës në vitin 2005 dhe më pas në vitet 2009-2014 punoi në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI në detyrën e ndihmës inspektorit dhe më pas si Sekretar i Përgjithshëm. Ai është emëruar prokuror në vitin 2015, fillimisht në Pukë dhe më pas në Prokurorinë e Kavajës. Aktualisht e ushtron funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm të Durrësit.
Çopa u konfirmua në detyrë më 22 shkurt, pasi shumica e trupës së KPK e përbërë nga relatorja pamela Qirko dhe anëtarja Alma Faskaj, konkluduan se ai arrin nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit.
KPK i kaloi subjektit barrën e provës për një balancë negative totale në vlerën 25.8 milionë lekë. Ai deklaroi në Komision se pasuritë janë fituar me trashëgimi ligjore dhe se janë krijuar para fillimit të detyrës.
Pas prapësimeve të Çopas, shumica i ka vlerësuar të drejta një pjesë të pretendimeve të tij duke e reduktuar bilancin negativ në vetëm 986 mijë lekë gjatë dy viteve, pamundësi që është çmuar jo penalizuese – bazuar dhe në agumentin se ato balanca negative nuk ndikojnë drejtpërdrejt në burimin e krijimit të pasurive.
Duke gjykuar mbi bazën e parimit të proporcionalitetit, deklarimet e pasakta të konstatuara dhe problematikat e evidentuara në analizën financiare, nuk janë çmuar të mjaftueshme për cenimin e kriterit të pasurisë apo të vlerësohen si të tilla që të ndikojnë në vlerësimin tërësor. Në përfundim, shumica ka çmuar se Çopa, ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.
Ndërsa kryesuesja e trupës, komisionerja Xhensila Pine në pakicë ka gjetur probleme në kriterin e pasurisë. Sipas saj, edhe duke mbajtur në konsideratë faktin se Çopa ka qenë në detyrën e oficerit të policisë gjyqësore kur ka rezultuar me bilance negative, ai sërish ka mungesë burimesh për të justifikuar pasurië, duke u gjendur në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm.
Po ashtu, edhe Komisionerja Irena Nino vlerëson ndryshe nga shumica e KPK. “Subjekti i rivlerësimit nuk provoi të kundërtën e barrës së provës edhe për sa konstatuar nga Komisioni mbi burimet e ligjshme dhe pamjaftueshmërinë financiare të konstatuar për vitet 2011, 2014 dhe 2015, në vlerën rreth 3.400.000 lekë për këto vite”, shprehet Nino ndër të tjera në ankim.
Ndryshe nga shumica e trupës së KPK që nuk gjeti probleme penalizuese për profesionalizmin dhe figurës, Pine dhe Nino çmojnë se gjetjet në këto kritere, në vlerësimin tërësor e vendosin subjektin nnë kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Sipas Pines, në vlerësimin e kriterit të figurës është konstatuar se subjekti nuk arriti të shpjegojë rrethanat që çuan në ndryshimin e cilësimit të veprës penale për dy të pandehur dhe kërkesën për pushimin e hetimeve për dy nga personat nën hetim, duke dëshmuar përpjekje të tij për minimizim të rëndësisë së faktit penal dhe rrezikshmërinë e veprës penale në këtë çështje.
“…Edhe nëse ky konkluzion nuk do të ishte i mjaftueshëm për të arritur një konkluzion lidhur me kontrollin e pastërtisë së figurës së subjektit të rivlerësimit, mospërmbushja e rregullt e detyrës cenon pastërtinë e figurës së subjektit dhe shkallën e besueshmërisë së tij”, arsyeton Pine.
Lidhur me gjejet në kriterin e figurës dhe profesionalizmit, Nino vlerëson se veprimet e subjektit afektojnë kriterin e aftësisë profesionale. “Problematikat e konstatuara më sipër duhen trajtuar nga Kolegji eventualisht së bashku me gjetjet e tjera të shkaqeve të ankimit, nën frymën e nenit 4, pika 2 e ligjit nr. 84/2016, në kuadër të aplikimit të nenit 61, pika 5, të ligjit nr. 84/2016, si cenim i besimit të publikut te sistemi i drejtësisë”, shprehet Nino dhe kërkon shkarkimin e prokurorit Gëzim Çopa.
 

Burimi