Kontaktoi me vajzën që e ka denoncuar për përdh*nim: Greenwood arrestohet sërisht

Mason Greenwood është arrestuar sërish. Lojtari anglez akuzohet për shkelje të lirisë së kushtëzuar. Sulmuesi i Manchester United ishte arrestuar nga policia edhe në janar, me akuzën e përdh*nimit dhe sulmit ndaj të dashurës së tij. I riu, pas tre netësh qëndrimi në paraburgim, është kthyer i lirë me kusht, por tashmë është arrestuar sërish.

Policia ka vërshuar në vilën e tij në orët e fundit. Lojtari, shpjegon Sun, u arrestua pasi kishte kontaktuar me viktimën e tij të dyshuar, duke shkelur kushtet e lirisë së kushtëzuar. Greenwood është marrë në pyetje për këtë fakt. I riu u lirua me kusht më 2 shkurt dhe që atëherë ka mbajtur një profil relativisht të ulët. Qershorin e kaluar, gjatë një seance private në Gjykatën e Magjistraturës Salford në Mançester, u zgjat liria e tij me kusht. Sulmuesi është ende në pritje për të zbuluar fatin e tij.

GREENWOOD I PEZULLUAR NGA UNITED

Paraqitja e fundit e Greenwood me United ishte më 22 janar. Klubi, pas akuzave të bëra nga e dashura e tij, e pezulloi lojtarin. Megjithatë, 21-vjeçari vazhdon të marrë pagën e tij prej 75 mijë paund në javë, në pritje të përfundimit të procedimit penal. Disa tifozë shumë të vëmendshëm, disa muaj më parë, zbuluan se lojtari ishte ende në faqen e klubit. Një lajm, i cili bëri të mendohet për një rikthim të mundshëm.

‘NIKE’ BRAKTIS GREENWOOD

Klubi u detyrua të lëshonte një deklaratë duke konfirmuar se nuk kishte pasur ndryshime në gjendjen e Greenwood: “Nuk ka pasur asnjë ndryshim në gjendjen e Mason. E hoqëm profilin e tij nga aplikacioni i klubit menjëherë pasi u hoq nga skuadra në janar. Megjithatë, profili i tij nuk është hequr asnjëherë nga faqja e internetit. Sepse ai mbetet një lojtar i Manchester United, edhe pse aktualisht nuk është pjesë e skuadrës ndërsa është duke u zhvilluar procesi ligjor”.

Kështu, 21-vjeçari mbetet lojtar i United, por i gjithë marketingu që mban emrin e tij dhe numrin 11 janë hequr nga faqja zyrtare. Greenwood u hoq gjithashtu nga FIFA 22 dhe Football Manager 2022. Por u braktis edhe nga sponsorët, si Nike.

Lexo me shume