Korrupsioni me paratë për fermerët, Shqipëria nuk ka një datë për rikthimin e fondeve IPARD_66426169844b9.webp

Korrupsioni me paratë për fermerët, Shqipëria nuk ka një datë për rikthimin e fondeve IPARD

Komisioni Evropian i pezulloi Shqipërisë miliona euro grante për bujqësinë nga programi IPARD në korrik 2023, për shkak të dyshimeve për korrupsion. Shqipëria nuk ka ende një datë për riçeljen e fondeve, por zëvendësministri i bujqësisë Dhimitër Kote pretendon të kundërtën. Në një dalje televizive, Kote tha se fondet do të rikthehen në 2025-ën. Deklarata u përgënjeshtrua nga Komisioni Evropian për Faktoje.
Autoritetet shqiptare janë vënë në lëvizje për të plotësuar kërkesat dhe kushtet që duhet të plotësojnë në mënyrë që vendi të rifitojë fondet e ndërprera për bujqësinë nga Komisioni Evropian, për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Mirëpo, teksa Shqipëria nuk e ka ende një afat konkret për rikthimin e fondeve IPARD, zëvendës ministri i bujqësisë Dhimitër Kote pretendon të kundërtën. Gjatë një interviste televizive, Kote deklaroi se programi IPARD III do të jetë funksional vitin e ardhshëm – vit i cili përkon me zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Majde, zëvendësministri lë të kuptohet se procesi i vlerësimit për hapjen apo jo të IPARD III-shit, është normal dhe nuk ka të bëjë me hetimet për korrupsion.
“…Për vitin 2025 ajo skemë do të jetë funksionale. Çdo proces ka kohën e vet, sepse ne përthithëm dy masa IPARD I dhe II. Bëhet analiza e tyre dhe pastaj shpallet për 2025-ën IPARD III,”- deklaroi zëvendës ministri i bujqësisë Dhimitër Kote.
Verifikim
Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje ju drejtua me një kërkesë për informacion Komisionit Evropian.
Vetëm pak orë më vonë, zëdhënësi për tregtinë dhe bujqësinë pranë Komisionit Evropian, Olof Gill i bëri të qartë Faktojes se Shqipëria ende nuk ka një datë për çeljen e fondeve.
“Duke qenë se procedura është ende në vazhdim, për momentin nuk mund të jepet më shumë informacion. Si masë paraprake, ndërprerja e rimbursimeve nga Komisioni Evropian për autoritetet shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD 2014-2020 do të mbetet në fuqi deri në një njoftim tjetër.” – KE për Faktoje
Gill theksoi se fillimi i zbatimit të programit IPARD në Shqipëri varet nga rezultati i procesit hetimor që është në vazhdim.
Deklaratën e zëvendësministrit u detyrua ta përgënjeshtronte edhe Ministria e Bujqësisë. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje ky institucion bën të ditur se rikthimi i programit IPARD III në Shqipëri varet nga disa kushte.
“Programi IPARD III përpara fillimit të zbatimit të tij, duhet të plotësojë kushtet sipas nenit 13 të Marrëveshjes Financiare në Kuadër të Partneritetit, miratuar me ligjin 65/2022.” – Ministria e Bujqësisë.
Qeveria shqiptare duhet të vërtetojë ndër të tjera se respekton parimet e menaxhimit të qëndrueshëm financiar, transparencës dhe mosdiskriminimit, si dhe të garantojë mbrojtje të interesave financiare të BE-së, duke zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare që mundësojnë parandalimin, identifikimin, raportimin dhe korrigjimin e parregullsive për mashtrim.
Prapavijë
Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian.
Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante. Përmes programit IPARD II, që u zbatua gjatë viteve 2014 dhe 2020, vendi ynë përfitoi mbi 71 milionë euro.
Por verën e shkuar, Komisioni Evropian i ndrepreu Shqipërisë pagesat për IPARD II dhe njëkohësisht ‘ngriu’ fondet për programin IPARD III- i cili parshikonte 146 milionë euro mbështetje financiare për bujqësinë shqiptare.
Pas këtij skandali, autoritetet shqiptare u vunë në lëvizje.
Institucioneve përgjegjëse iu deshën 5 muaj kohë për t’i dorëzuar raportin “llogaridhënës” KE-së. Infromacioni i detajuar në raportin që u dorëzua në muajin dhjetor 2023 është ende duke u analizuar nga Komisioni Evropian. Në bazë të analizës KE do të vendosë mbi hapat e metëjshëm.
Nga ana tjetër, abuzimet me fondet IPARD në Shqipëri janë pjesë e një hetimi penal që po kryen SPAK.
Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e zëvendësministrit të bujqësisë Dhimitër Kote për rikthimin e programit IPARD III në 2025 e kategorizojmë të pavërtetë./Faktoje.al

Burimi