KQZ shpenzoi 27 milionë euro/ Pjesa më e madhe shkoi për pajisjet elektronike_6639ea630a28b.png

KQZ shpenzoi 27 milionë euro/ Pjesa më e madhe shkoi për pajisjet elektronike

Nga 2021 në vendin tonë filloi implementimi i pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërsa nga 2022 erdhi dhe risia e votimit dhe numërimit elektronik. Duke filluar nga fletët e votimit tek sistemi i kamerave në qendrat e votimit dhe monitorët në tavolinat e numërimit, zgjedhjet në Shqipëri po bëhen gjithnjë e më të kushtueshme.
Fonde buxhetore për pagat dhe sigurime në drejtim të KQZ-së ishin 137 milionë lekë, ndërsa 67 milionë lekë për mallra dhe shpenzime kapitale në total prej 238 milionë lekësh apo 2.1 milionë euro. Ndërkohë me vendim qeverie në 27 janar u akorduan 2.6 miliardë lekë për organizimin e zgjedhjeve. Fatura totale shkon në 27 milionë euro.
Në një krahasim me zgjedhjet në 2019-ën, fondi i akorduar ishte 600 milionë lekë për zgjedhjet elektorale dhe 162 milionë lekë për KQZ.
2 miliardë lekë më shumë apo 4 herë më shumë fonde në zgjedhjet e këtij viti shkuan në drejtim të teknologjisë. Votimi dhe numërimi elektronik i zgjeruar në tre bashkitë e vendit kushtoi rreth 6 milionë euro.
Ndërkohë 3 milionë euro shkuan për procesin e përditësimit të pajisjeve të identifikimit elektronik ndërsa rreth 1.2 milionë euro shkuan për transmetimin e të dhënave nga numërimi në kohë reale. Pjesa tjetër shkoi për pjesët logjistike, kuti, fletë votimi, bojë timbruese dhe materiale kancelarie etj. Me gjithë këtë sasi te madhe parash te shpenzuara, problemet me pajisjet elektronike te identifikimit te zgjedhësve nuk munguan. Ato u bënë edhe objekt i debatit politik.
Aplikimi i teknologjisë dhe mungesa e stafit teknik për të mbajtur në punë normalisht këto pajisje ishte një sfidë e vërtetë për komisionin qendror të zgjedhjeve dhe ka për të qenë e tillë edhe në të ardhmen, në një kohë kur kërkohet që në zgjedhjet e tjera të aplikohet votimi dhe numërimi elektronik në gjithë vendin.

Burimi