Krimi me 3 viktima dhe dy të plagosur në Klos, Çupi: Nëse nuk do ishte vonuar policia ngjarja nuk do kishte ndodhur

Deputetja e Partisë Demokrtatike, Dhurata Çupi ndërsa ka folur në Kuvbendin e Shqipërisë gjatë seancës plenare të ditës së enjte ka komentuar krimin që ndodhi një ditë më parë në Klos, ku Fiqiri Mjeshtri vrau babë e bir Liri dhe Kenad Shira, plagosi Eglantin dhe Renato Hasulën dhe më pas vrau veten, për shkak të të disa ngacmimeve që dy adoleshentët i kishin bërë vajzës së tij.

Çupi tha se ngjarja e djeshme në Klos tregoi edhe njëherë se shteti ka rënë përtokë, dhe se po të mos ishte vonuar policia nuk do të kishim këtë bilanc tragjik sot.

Fjala e plotë:

Dua të shpreh ngushëllimet e mia për jëtët e humbura dje në Klos. Uroj që ngjarje të tilla tragjike të mos përsëriten asnjëherë jo vetëm në Klos por në të gjithë Shqipërinë.

Por ajo që ndodhi dje në Klos është dëshmi e qartë e një fakti. Rendi publik në Shqipëri ka rënë përtokë, e mos të them është futur nën dhe.

 Qytetarët s’kanë asnjë besim tek institucionet ligjzbatuese, te institucionet e drejtësisë e me radhë. Në një vend aq të vogël si Klosi policia vonon për të shkuar në vendngjarje. Po të mos ishte vonuar policia ndoshta do ishte parandaluar vetëvrasja. Sot debatet dhe konfliktet zgjidhen me armën ne brez.

Qytetarët që unë përfaqësoj këtu në Parlament nuk shquhen për rekorde kriminale, por shquhen si njerëz të zgjuar e punëtorë .

Por jo vetëm për fajin e tyre këto ditë janë bërë personazhe të lajmeve të kronikës së zezë.

Në fillim të kësaj jave Kujtim Lila, 52 vjeç, kryefamiljar, baba dhe bashkëshort, humbi jetën duke punuar në një minierë në zonën e Bulqizës.

Historia e Kujtimit është e njëjtë me atë te 4 minatorëve të tjerë këtë vit, të Sazan Dedës që humbi jetën në Korrikun e kaluar, dhe 115 minatorëve të plagosur në 10 vitet e fundit, ndër të cilët 39 prej tyre kanë humbur jetën në rrethana tragjike. Galeritë e kromit, që duhet të ishin një bekim për zhvillimin dhe mirëqënien e zonës, janë kthyer në një mallkim që hap dyert e mortit në familjet fisnike. Gjaku dhe djersa e njerëzve të ndershëm të Bulqizës derdhet çdo ditë për të mbushur xhepat e biznesmenëve dhe politikanëve të Tiranës.

Shteti duket se i ka harruar ata qytetarë, të cilët cdo ditë ndahen nga fëmijët e tyre, pa qenë të sigurtë se do t’i shohin përsëri dhe i janë nënshtruar arrogancës së biznesmenëve që përfitojnë nga pasuritë kombëtare në kurriz të njerëzve të urtë e punëtorë.

Kushtet e punës dhe trajtimi financiar i tyre është jo vetëm skandaloz, por anti-ligjor dhe kriminal. Inspektoriatet e pafundme të shtetit që nuk lënë biznes të vogël e të ndershëm pa i trokitur në derë, i kanë mbyllur sytë përballë trajtimit mizor, arbitrar dhe abuziv që iu bëhet minatorëve të Bulqizës.

Policia dhe Prokuroria, herë nga paaftësia, herë nga korrupsioni, e herë nga mosdëshira, i mbyllin dosjet e minatorëve akoma pa i hapur, nën diktatin e të fortëve, kriminelëve, pushtetarëve dhe parave të pista.

Edi Rama  që duket sikur ka kohë për t’u marrë me këdo dhe cdo gjë, nuk i shikon jetët që shuhen përditë diku nën thellësitë e tokës së Bulqizës. Nuk kujtohen të thonë as gjysëm fjale, as ngushëllimi e as reagimi. Por mesa duket ka urdhëruar edhe kyçjen e gojës së institucioneve për tu përgjigjur në rrugë zyrtare.

Unë si deputete e Partisë Demokratike, nuk do të resht sa kohë të kemë mundësi të ngre shqetësimin e tyre. Me këtë qëllim, në cilësinë e Deputetit, referuar ligjit për statusin e deputetit, me 26 Korrik i jam drejtuar me disa pyetje Prokurorisë së Matit, për dijeni Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit. Por që nga Korriku e deri më sot më 13 tetor asnjë nga këto institucione nuk kanë denjuar të kthejnë përgjigje në shkelje të ligjit.

Ndaj unë sot po i adresoj pyetjet publikisht:

1.Sa është numri i aksidenteve me pasojë vdekjen në minierat e qarkut Dibër për periudhën 01.01.2021 – 30.06.2022?

2.Sa është numri i kallëzimeve penale të regjistruara për aksidentet e sipërmendura?

3.Sa është numri i procedimeve penale të regjistruara për aksidentet e sipërmendura?

4.Sa është numri i personave që iu atribuohet vepra penale/nën hetim/të pandehur, në kuadër të procedimeve penale të mësipërme?

5.Sa është numri i procedimeve penale për të cilat është kërkuar pushimi i cështjes dhe cështjeve të dërguara për gjykim?

6.Sa është numri i vendimeve penale për të cilat është vendosur deklarimi fajtor dhe dënimi i të pandehurve?

Sa është numri i personave të pandehur?

7.Sa është numri i vendimeve penale për të cilat është vendosur deklarimi i pafajshëm të të pandehurve?

8.Sa është numri i cështjeve që aktualisht janë nën hetim nga ana e Prokurorisë?

Në c’fazë ndodhen këto cështje dhe brenda cfarë afati parashikohet dërgimi i tyre në gjykatë? 

Dhe këtu para qytetarëve që na ndjekin dhe kolegëve po them se nuk do ta lë me kaq këtë çështje. Drejtësia e vonuar ëhstë drejtësi e mohuar, por unë dua të besoj se drejtësi do ketë shumë shpejtë

/Abcnews.al/

Lexo me shume