Krimi që tronditi Maqedoninë, Turqia do të ekstradojë të dyshuarin kryesor për ngjarjen_663a329585dff.png

Krimi që tronditi Maqedoninë, Turqia do të ekstradojë të dyshuarin kryesor për ngjarjen

Një gjykatë në Turqi ka miratuar kërkesën e autoriteteve në Maqedoninë e Veriut, për ekstradimin e Lupço Palevski Paços, të dyshuarit kryesor për vrasjen e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska dhe të 74 vjeçarit Panço Zhezhovski.
Lajmin e bëri të ditur, ministri i Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, Krenar Lloga.
“Nga Republika e Turqisë morëm miratimin për ekstradimin e Lupço Palevskit. Rezultati pozitiv i procedurës vjen pas të gjitha masave dhe aktiviteteve maksimale të ndërmarra nga juridiksioni i Ministrisë së Drejtësisë”– është shprehur Lloga.
Prokuroria maqedonase ka njoftuar se procedura e ekstradimit do të kryhet nga ministria e Punëve të Brendshme. Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit.
Palevski, i dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë, ishte arrestuar nga policia turke në qytetin Balikesiri. Ndër personat e dyshuar për vrasjen e 14 vjeçares është edhe babai i saj. Trupi i pajetë i të miturës u gjet në një zonë të braktisur në Shkup.

Burimi