Kritikat e Dumanit për institucionet, Rama: SPAK ka pasur impakt parandalues_663a154d5283e.jpeg

Kritikat e Dumanit për institucionet, Rama: SPAK ka pasur impakt parandalues

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen me ministrat dhe grupin e Partisë Socialiste në Kryesinë e Kuvendit dha një përgjigje edhe për kritikat e kreut të SPAK, Altin Dumani për rënien e referimeve nga institucionet shtetërore sa i përket rasteve të korrupsionit.
Rama u shpreh se një arsye e rënies së denoncimeve është edhe impakti parandalues që ka filluar të japë vetë veprimatria e SPAK. Përmes shifrave ai përmendi se janë referuar nga drejtoria anti-korrupsion 532 masa disiplinore.
Edi Rama: Dëgjova drejtuesin e SPAK në raportimin e tij përpara KLP, kur tha se kanë rënë denoncimet për korrupsion nga institucionet, e thashë më lartë pse misioni bazë i pushtetit ekzekutiv në luftën kundër korrupsioni nuk është dhe nuk mund të jetë hetimi i brendshëm i korrupsionit, por hartimi dhe zbatimi i masave sistemike që adresojnë problematika sistemike dhe ngushtojnë sistematikisht hapësirat për korrupsion përmes mekanizmave josubjektiv, duke zvogëluar subjektivitetin e individit si fuqi për të ndikuar procese i nxitur nga korrupsioni. Unë besoj se një arsye e rënies së denoncimeve është në fakt impakt parandalues që ka filluar të japë edhe vetë veprimatria e SPAK. Kjo është një gjë e mirë.

Nuk e solla në vëmendje opinionin e drejtuesit të SPAK për ndonjë replike thjesht për një qasje tjetër, por për të rrëzuar pretendimin e kundërshtarëve politikë se rastet e zbuluara nga SPAK janë rrufe që bien në një territor ku nuk bëhet asgjë. Në vetëm dy vitet e fundit drejtoria anti-korrupsion, ka urdhëruar 532 masa disiplinore për shkelje, ka bërë 263 rekomandime për ndryshime të natyrës ligjore dhe ka dorëzuar në prokurori 48 kallëzime penale. Nga ana tjetër nëse në 2012 janë arrestuar, janë ndjekur me masa nga vetë Policia e Shtetit vetëm 270 efektivë të përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe korrupsion, në vitet e qeverisë tonë numri i të arrestuarve është trefishi, 737 efektivë policie. Nga Korriku i vjetshëm në Prillin e këtij viti, AMP ka 227 referime në prokurori me 349 punonjës të referuar dhe 65 efektivë policie të arrestuar përfshirë edhe për korrupsion.

Shpresoj që shembujt që solla të shërbejnë për të gjithë ata që kanë krijuar idenë se ne kemi fjetur gjumë në këtë aspekt dhe këto që kanë ndodhur së fundmi me hetimet e SPAK nuk tregojnë asesi që ne e kemi lënë administratën jashtë vëmendjes dhe syrit të luftës anti-korrupsion.

/a.r

Burimi