Kritikat për fjalimin e tij mbi raportin e Dick Martyt në KiE/ Rama: S’erdhën te darka se nuk u erdhi mirë nga e vërteta, kritika dhe PD-së: Njerëz pa atdhe!

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit në Këshillin e Evropës kërkoi rishikimin e Rezolutës 1782, të miratuar në vitin 2011 për raportin e Dick Marty dhe shpalljen të pabazuar të akuzave të tij për trafikim të organeve njerëzore nga ana e shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Pas takimit, ishte organizuar një darkë, por disa prej të ftuarve refuzuan ftesën, për shkak të mosdakordësisë me fjalimin e kryeministrit shqiptar.
Përmes një statusi në rrjetin social “Twitter”, Rama konfirmon se “disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg,megjithëse e kishin konfirmuar më parë”.

Sipas Ramës, të ftuarit kishin të drejtë të ndiheshin keq, pasi “s’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve”.
“Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë  e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri”.
Kryeministri kritikoi dhe opozitën në vendin tonë. Partia Demokratike e quajti skandaloze vizitën dhe fjalimin e tij në Asamblenë Parlamentare të KiE.
“Është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra!#NjerëzPaAtdhe #KatranMeBojë”, shkruan kryeministri.
Debatin e djeshëm në KiE, Rama e komentoi pozitiv, pasi tregon se mesazhi i dhënë nga ai dha efekt tek të pranishmit. Rama e quajti miratimin e Rezolutës së Dick Martyt një gabim tragjik nga ana e KiE-së.
Ai gjithashtu u shfaq kritik ndaj Këshillit Evropian duke u shprehur se nderi i shqiptarëve është në vend, por ata duhet të vënë në vend nderin e tyre.
Lexo edhe: “KiE të vërë në vend nderin!”, Rama për raportin e Dick Martyt: S’ka asnjë fakt, veç kanaleve të fantazisë së gjeneralit të gjallë të ushtrisë së vdekur

Top ChannelLexo me shume