Kryeministri Kurti shpreh gatishmëri për të diskutuar datën e zgjedhjeve_664334f49f637.png

Kryeministri Kurti shpreh gatishmëri për të diskutuar datën e zgjedhjeve

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë të hënën se është i interesuar që të diskutojë me subjektet politike për datën më të përshtatshme për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi të zhvilluar me kryetarin e partisë opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Kryetarët e partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e kanë refuzuar ftesën për takim.
Mandati katërvjeçar i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025.
“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se do t’i vazhdojë diskutimet në këtë drejtim edhe me partitë tjera opozitare.
“Për mua nuk është thelbësore se a do të qeveris në këtë mandat edhe 10 muaj, tetë apo gjashtë muaj apo tre muaj. Është e rëndësishme të kemi një konsensus sa më të gjerë për muajin, datën e zgjedhjeve”.
Megjithatë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se do të mbështesë “shpërbërjen e Parlamentit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit”.
“Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, ka thënë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
Kurti ka thënë se me Krasniqin kanë diskutuar edhe për rëndësinë e një komunikimi më të mirë në ditët në vijim, me qëllim të miratimit të 13 marrëveshjeve ndërkombëtare që janë në pritje për t’u votuar në Kuvendin e Kosovës.
Kryetari i PDK-së, në anën tjetër, ka thënë zgjedhjet e reja janë të domosdoshme.
“Ne nuk jemi në gjendje të mirë, Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnuar, rritje enorme të çmimeve, me paga dhe pensione të vogla, të cilat nuk ju mjaftojnë familjeve kosovare të lidhin muajin me muaj”, ka thënë Krasniqi, duke kritikuar punën e Qeverisë aktuale edhe në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe politikës së jashtme.
Krasniqi tha pas takimit me Kurtin se PDK-ja është e gatshme “të gjejmë një darkordim me të gjitha partitë parlamentare për një datë të re të zgjedhjeve, për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët”.
PDK-ja e ka përcaktuar Bedri Hamzën si kandidat të saj për kryeministër në zgjedhjet e radhës./REL/
 

Burimi