Kryeministri Rama: Gati për t’u lëshuar në hapësirë satelitët Albania 1 dhe 2

Dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” janë gati për t’u lëshuar në hapësirë. Lajmin e ka dhënë Kryeministri Edi Rama, i cili në një postim në Facebook, shkruan se satelitët e Shqipërisë do të lëshohen në hapësirë nga qendra “Kennedy” në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Gati për t’u lëshuar në hapësirë nga Kennedy Space Centre në Florida të SHBA, dy sytë superteknologjikë që do të monitorojnë Shqipërinë nga lartësitë, me një precizion të lartë dhe qartësi të plotë figure deri në 75 cm2; Satelitët e ALBANIA 1dhe ALBANIA2”.

Këto dy satelitë do të monitorojnë të gjithë territorin e Shqipërisë dhe do të përdoren për qëllime të ndryshme.

“Shqipëria do të ketë përdorim ekskluziv të tyre, për përpunimin e Informacionit Gjeohapësinor (GIS) si dhe ofrimin e produkteve të imazherisë dhe komponentëve të tjerë të saj, e një sërë institucioneve e subjekteve, publike ose private, puna e të cilave lidhet me territorin, ujërat, pyjet, zjarret, mbetjet urbane, prodhimin bujqësor, zhvillimin urban, titujt e pronësisë, e me radhë”, shkruan Kryeministri Edi Rama në Facebook. /tvklan.al

Lexo me shume