Kryepolici shmanget për Lear Kurtin! 6 ditë pas ngjarjes, kërkon sërish kohë për të dhënë shpjegime

Në komisionin parlamentar të Sigurisë Kombëtare, drejtori Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, supozohej të fliste për sulmet kibernetike ndaj sistemeve të policisë, por interesi primar i deputetëve të opozitës ishte të mësuarit e të vërtetës, si vdiq 32-vjecari Lear Kurti, pas ndalimit nga uniformat blu.

“Sot situata ka degraduar shumë më rëndë, kemi një polici që i merr jetën qytetarit. Dhe është e turpshme për ne, të nisim këtë seancë për sulmet kibernetike, pa i kërkuar më parë drejtorit të policisë të japë shpjegime. Komiteti i Helsinkit ka thënë se policia ka shkelur kushtetutën”, tha Ferdinand Xhaferi.
Pavarësisht se kanë kaluar 6 ditë nga vdekja e Lear Kurtit dhe Agjencia e Mbikqyrjes Policore drejtuar nga Ardi Veliu ka kryer hetime, drejtori Përgjithshëm i Policisë kërkoi më shumë kohë për t’u përgatitur e folur për këtë ngjarje.

“Jam i gatshëm të paraqitem brenda 48 orëve dhe të jap shpjegime në lidhje me sa kërkohet nga ana juaj. Edhe për çështjen e të ndjerit Rasha, duke qenë në detyrën e kreut të AMP. Do t’iu lutesha që, jo çdo gjë që shpërndahet mediatikisht për opinionin nuk do të thotë se janë të vërtetat reale të hetimeve që kryejnë institucionet e drejtësisë”, tha Muhamed Rrumbullaku.
Rrumbullaku mbante postin e drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe hetoi vrasjen e Klodian Rashës nga policia që drejtohej nga Ardi Veliu. Tani dy drejtuesit kanë bërë rokadë dhe policia e drejtuar nga Rrumbullaku po hetohet nga Veliu për veprime arbitrare. As ministri i Brendshëm Bledi Çuçi nuk dha një shpjegim për këtë ngjarje. Por në një ceremoni për policët e rinj, ai foli për baltë që është hedhur ndaj policisë.
Opozita kërkon dorëheqjen e tij duke e bërë përgjegjës për atë që Berisha e Meta e quajtën vrasja e dytë e Lear Kurtit.

Top ChannelLexo me shume