Kryetarja e Kuvendit në Samitin për Krimenë, Nikolla: Shqipëria krah Ukrainës, agresioni rus kërcënim për të gjithë njerëzimin

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mori pjesë dhe foli në Samitin e Parë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë.
Samiti u organizua nga Parlamenti i Kroacisë dhe Parlamenti i Ukrainës, në Zagreb, më 25 tetor. Në të morën pjesë kryetarë të parlamenteve të vendeve anëtare të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë, midis të cilëve Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA. Nancy Pelosi, Presidentja e Bundestsgut Gjerman, Bärbel Bas etj.

Samiti aktivizoi dimensionin parlamentar të mbështetje për çlirimin e Ukrainës dhe çështje të tjera të sigurisë globale.

Në sesionin plenar të Samitit e mori fjalën edhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila nënvizoi se “Shqipëria, në cilësinë e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurisë, së bashku me Shtetet e Bashkuara, është bashkë-penë-mbajtëse në përcaktimin e qëndrimeve dhe veprimeve për mbrojtjen e Ukrainës.

Lufta në Ukrainë na kujtoi se agresionet pushtuese nuk janë as të depozituara në kanalet e historisë, dhe as një retorikë politike, por janë një kërcënim i vërtetë për të gjithë njerëzimin, për kontinentin dhe planetin tonë. Lufta e Ukrainës është lufta jonë.

Në ditët e sotme mund të zhvillohen lehtësisht sinergji mes sulmeve terroriste dhe agresioneve ushtarake. Këto sinergji shumëfishojnë rreziqet që i kanosen vendeve dhe rajoneve, të cilat janë shënjestra e këtyre sulmeve.
Shqipëria ka qenë shënjestër e sulmeve kibernetike për shkak të angazhimit të saj serioz kundër agresionit ushtarak të Rusisë dhe kontributit të saj për paqen dhe lirinë.

Agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe sulmet kibernetike ndaj kombeve të lira nuk janë vetëm sulme ndaj sovranitetit. Ata kërcënojnë seriozisht demokracinë dhe qytetërimet në Evropë dhe në planet. Ndaj, mbështetja për Ukrainën dhe vendet që janë shënjestër e sulmeve kibernetike është një kontribut për demokracinë, vlerat dhe institucionet demokratike.

Në Evropë, si dhe në rajone të tjera të botës, krijimi i aleancave ushtarake mbrojtëse nuk shoqërohet gjithmonë nga një partneritet politik efektiv.

Partneriteti politik i bën aleancat ushtarake më efektive. Aleancat ushtarake mund të shërbejnë si një nxitje për partneritete politike të fuqishme dhe të qëndrueshme. Duhet që të gjithë ta kemi parasysh një ndërveprim të tillë.”

Lexo me shume