Kurti nuk tërhiqet nga targat: S’ka shtyrje të afatit, nuk është as hakmarrje, as inat!

Apelet e ndërkombëtarëve nuk e kanë bindur Albin Kurtin të shtyjë afatin e ri-regjistrimit të targave, që merr fund në 31 tetor.

Kryeministri i Kosovës deklaroi sot nuk do të ketë shtyrje të mëtejshme, pavarësisht frikës së një lëvizje e tillë mund të rindezë tensionet me serbët. Në 1 shtator, autoritetet kosovare nisën procesin e ri-regjistrimit të makinave me targa të lëshuara nga Serbia, në ato RKS- Republika e Kosovës.
Por deri më tani, interesimi i serbëve në veri të Kosovës ka qenë tepër i ulët për të marrë targat RKS. SHBA-ja dhe BE-ja kanë insistuar që të dyja palët të përpiqen të shmangin një përshkallëzim të situatës. Kurti bëri këtë komentet përpara se të merrte pjesë në Samitin rajonal për sigurinë, ekonominë dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë:

“Ne e bëmë një shtyrje të afatit në 31 korrik, dhe në vend që të ishte data 1 tetor u bë data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të kohës së Milloshevicit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legjitime RKS”- thotë Kurti.
Ai më tej u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar targat në RKS.
“Nuk është as hakmarrje, as inat, e as urrejtje.Por, zbatim i ligjit. Kur aleatët e partnerët tanë na japin sugjerime ne i marrim ato shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka shtuar kreu i ekzekutivit, i cili nuk la pa fshikulluar ndërkohë edhe Serbinë, duke thënë se përmes raporteve të ngrohta me Rusinë, Beogradi po dërgon qartazi sinjale se po zgjedh autokracinë.

Top ChannelLexo me shume