Kuvendi anulon tenderin 45 mijë euro për mirëmbajtjen e  Mercedesit të Nikollës_66435cc3e1185.jpeg

Kuvendi anulon tenderin 45 mijë euro për mirëmbajtjen e  Mercedesit të Nikollës

E imagjinoni Lindita Nikollën ta lërë Benzin në garazh dhe të shkojë në punë me biçikletë, nëpër pistën që ia ka vizatuar Erion Veliaj? Kryetarja e Kuvendit mund të shkojë në punë edhe në këmbë, se e ka shtëpinë afër. Jo! Është përgjigja masive.
Për dy arsye: Së pari, Nikolla është kryetare e ligjvënësve të korruptuar. Atë mund ta presin tek cepi i rrugës dhe t’i bëjnë atentat me salcë në fytyrë dhe rrobat e shtrenjta (i ka ndodhur në një rast kur një studente ia bëri pis fustanin). Së dyti, kryetares i pëlqen luksi dhe pushteti, ku hyjnë edhe makinat e shtrenjta.
Por luksi kërkon edhe para të tjera. Kështu, më datë 19 prill 2024, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur një tender me vlerë 45 mijë euro (me TVSH) me objekt “Riparim-mirëmbajtje e veturave të titullarit të Kuvendit (Mercedes Benz), MK ,2024-2025”.
Sipas objektit të procedurës prokuruese, bëhet fjalë për një kontratë dyvjeçare për periudhën 2024-2025 për riparimin dhe mirëmbajtjen e një fuoristradë të vitit 2006, e cila është blerë nga ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe tashmë ka mbetur në koleksionin e Nikollës.
Gjithashtu fondi është edhe për një autoveturë e klasit S e vitit 2013, e blerë nga Ilir Meta në 2014, në atë kohë Kryetar Kuvendi, si dhe një Mercedez tjetër, të vitit 2018 që përdoret nga Lindita Nikolla.
Vlera 45 mijë euro është e lartë për mirëmbajtjen e makinave të Nikollës, por Kuvendi e justifikon me sigurinë që duhet për udhëtimet e kryetares.

“Lista e shërbimeve objekt prokurimi është pasuruar ndjeshëm me zëra te rinj krahasuar me vitet e mëparshme, për të mundësuar kështu ndjekjen sa më optimale të procesit të zbatimit të kontratave që do të lidhen duke i paraprirë çdo situate.
Dhe një situatë që ka synuar të paraprijë Kuvendi duket se është prishja e makinës në rrugë, ku si kriter për kompanitë garuese në tender, ka edhe ofrimin e spostimit të automjetit me karroatrec”, thuhet në dokumentet standarde të tenderit. Për të qeshur?! Sipas dokumenteve , Nikolla e ka seriozisht me kriteret që vendos.
Sipas afateve, tenderi në fjalë është mbyllur dhe pritej lidhja e kontratës, por në buletinin e datës 13 maj 2024 të shpallur nga Agjencia e Prokurimeve Publike është njoftuar se Kuvendi ka anuluar tenderin.
Dhe sipas dokumentit , tenderi anulohet për shkak se nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme për të kryer këtë shërbim.
 

Kush vallë do anashkalonte 45 mijë euro vetëm për të kontrolluar makinën e Nikollës kur dyshohet për ndonjë defekt? Zakonisht anulimet e tenderëve nuk ndodhin se titullarin e vret papritur ndërgjegjja që po harxhon shumë lekë të taksapaguesve. Do të shohim në vazhdim se cila është “oferta e përshtatshme” që po pret kryetarja.
©️Copyright Gijotina.comKy artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
 

Burimi