La kryeqytetin për vendin e lindjes, pas studimeve në Tiranë, Lejda kthehet si aktore në Gjirokastër

Nga Elidon Berberi

Lejda Çeli është aktorja më e re e teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër. Përfundoi studimet dy vjet më parë në Tiranë periudhë kjo që përkoi me kulmin e pandemisë. Ndaj u kthye në qytetin e saj të lindjes.

Ndryshe nga pjesa më e madhe e të rinjve që bëjnë të pamundurën të qëndrojnë në kryeqytet, Lejda u kthye me qejf në Gjirokastër.

“Pandemia ndërlikoi gjithçka dhe unë u ktheva në Gjirokastër. Më pas erdhi oferta nga Teatri i Gjirokastrës. Ishte emocionuese dhe e pranova pa asnjë dyshim. Unë gjithmonë e kam patur pak të vështirë që të shkëputesha nga Gjirokastra. Të vish në Gjirokastër në këtë qytet magjik është frymëzuese për mua, ndaj se kam pasur të vështirë të vij këtu.”

Tregon se ka pasur disa role dhe në teatrot e Tiranës gjatë kohës që studionte.

“Shfaqja e parë ka qënë në Teatrin Kombëtar me regji të Rozi Kostanit. Kam punuar dhe në teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli” për një kohë të gjatë kryesisht jam angazhuar në shfaqjet për fëmijë dhe jo vetëm.”

E quan veten me fat, pasi falë eksperiencës në Teatrin Kombëtar dhe atë Eksperimental ja doli më së miri të luajë rolin e Vesës, në dramën “Buzëqeshje e Hidhur” vënë pak kohë më parë në Teatrin e Gjirokastrës.

“Oferta nga profesori, regjisori Milto Kutali më erdhi më herët se të bëhesha pjesë e Teatrit të Gjirokastrës. Kjo eksperiencë e parë dhe falë komoditetit që më krijuan kolegët rrodhi shumë natyrëshëm dhe bukur. E kam shijuar të gjithën. Vështirësia në rolin e Vesë ishte përjetimi i shtatëzanisë, pasi unë nuk e kam përjetuar, kjo ka qënë peripecia e vogël e rolit.”

E reja me shfaqjen e radhës do gëzojë më shumë fëmijët.

“Për momentin po punojmë për një shfaqe për fëmijë kemi nisur provat dhe jemi afër daljes të vendosjes në skenë.”

Lejda ndan dhe një këshillë për artistët e rinj që ndihen të dëshpëruar dhe nuk gjejnë dot punë.

“Në raport me studentët që mbarojnë universitetin nuk ka aq shumë mundësi punësimi për të gjithë. Megjithëse të gjithë synojnë Tiranën. Mbase po të kthejmë sytë nga teatror e qyteteve tona mund ta bënte më të lehtë duke nisur dhe nga eksperienca ime.”/abcnews.al. .

Lexo me shume