Lajçak diskuton për propozimin franko-gjerman me Kurtin: Duam progres në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Propozimi franko-gjerman ishte në fokus të bisedës që i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak zhvilloi me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, këtë të shtunë.

Duke mos treguar detaje, Laçak, pas takimit me Kurtin tha se është në kontakt të vazhdueshëm dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me qëllim ç’tensionimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Propozimi franko-gjerman është arsyeja përse jam këtu çdo javë, shpresoj që ta kuptoni se nuk e ndihmon procesin nëse flas për detaje. Kishim një diskutim konstruktiv, këto janë çështje të ndjeshme dhe jam në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç. Duam po ashtu, të sigurohemi se kemi progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të mos ketë tensionim dhe dhunë.

Kemi diskutuar edhe për afatin e targave, por ky është vendim i kryeministrit Kurti. Për marrëveshjen me njohje reciproke duhet të vendosin Kosova dhe Serbia”.
Propozimi franko-gjerman
Propozimi franko-gjerman qarkullon në mediet e Kosovës prej një muaji dhe thuhet se ka për qëllim të lehtësojë zgjidhjen e problemeve mes saj dhe Serbisë. Mes të tjerash, ai parashikon që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në këmbim të anëtarësimit më të shpejtë në BE. Drafti thuhet se nuk përmend njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë, por njohjen e Kosovës nga pesë shtetet ngurruese të BE-së. Pikërisht, këto pesë mosnjohje i kanë dhënë deri më tani një avantazh apo fuqi të padrejtë Serbisë për të bllokuar Kosovën në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Vizita e mëparshme e Lajçakut në Kosovë ishte më 13 tetor. Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011 zhvillojnë në dialog nën ndërmjetësimin e BE-së. Këto dy shtete, megjithatë kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të dialogut. Teksa Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, Beorgadi kërkon një zgjidhje kompromisi, por pa sqaruar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Top ChannelLexo me shume