Lihet në burg Martina Pajollari e akuzuar se nxorri në pritë Martin Çeçon për t’u vrarë, dëshmia para trupit gjykues

Gjykata e Korçës ka lënë prapa hekurave 18-vjeçaren, Martina Pajollari, e arrestuar të premten e shkuar si bashkëpunëtore në vrasjen e të riut, Martin Çeços. Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, vajza është shprehur para trupit gjykues se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen. Ajo ka deklaruar se gjithçka ka thënë para grupit të hetimit e ka bërë nën presionin e Policisë. Arrestimi i Pajollarit u bë në kuadër të operacionit “Marjani”, duke e çuar në katër numrin e të arrestuarve për vrasjen e të riut, ngjarje e ndodhur më 18 qershor në fshatin Kolanec. Policia ka arritur të sigurojë provat e mjaftueshme që vërtetojnë se kjo shtetase ka bashkëpunuar me 3 autorët e arrestuar më herët, përkatësisht Valter dhe Edlir Mollaj dhe Bleti Angjo, të cilët aktualisht ndodhen prapa hekurave në burgun e Drenovës. Martina Pajollari dyshohet se ka qenë vajza e lidhur me viktimën, por edhe në një lidhje të dyfishtë me Valter Mollajn, autori i dyshuar i vrasjes. Ka dyshime të forta, se Pajollari e nxori në pritë Martinin natën kur ai u mbyt me litar dhe u hodh në rezervuar.

“Specialistët e Seksionit për hetimin e krimeve ndaj personit, pasurisë, të miturve dhe dhunës në familjes, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur më datë 16.06.2022, në rezervuarin e fshatit Kolanec, Maliq, ku u gjet i pajetë shtetasi M. Ç., 26 vjeç, banues në këtë fshat, bënë ndalimin e shtetases M. P., 18 vjeçe, banuese në fshatin Marjan, Korçë. Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës Parë Korçë me vendimin e datës 14.10.2022, ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Vrasja me paramendim’, kryer në bashkëpunim, si e implikuar në ngjarjen e lartpërmendur, për të cilën janë ndaluar më parë shtetasit Bleti Angjo; Valter Mollajn dhe Edlir Mollaj. Tre burrat në bashkëpunim me njëri tjetrin e kanë dhunuar e më pas hedhur trupin e pajetë në rezervuarin e Kolanecit në Maliq”, sqaronte Policia.

Pas njohjes së masës së sigurisë “Arrest me burg” për Martina Pajollarin dhënë dje nga Gjykata e Korçës ka ardhur edhe reagimi i avokatit të kushërinjve Mollaj, i cili ka kërkuar sigurimin e dëshmisë së 18-vjeçares pasi sipas avokatit, Pajollari nga fshati Marjan ka dëshmi kontradiktore që përplasen me njëratjetrën, dëshmi të cilat sipas tij mund të kenë ardhur edhe nga faktorë të ndryshëm. “Ka dëshmi kontradiktore të vajzës dhe bariut që më kanë krijuar bindje që vajza është tërësisht në pistë të gabuar por që di diçka për ngjarjen. A po thotë të vërtetën apo fsheh të vërtetën kjo i takon hetimit. Mbi këtë bazë dhe nga një informacion se vajza mund të largohej, unë kam ërkuar në gjykatë të bëhet sigurimi i provës”, tha avokati Nevzat Tarelli.

Edhe disa muaj pas krimit, vrasja e Martin Çeços nuk është e qartë për motivet. Babai i të ndjerit deklaroi pak ditë më parë se djali i tij e donte 18- vjeçaren Martina Pajollari. Madje, ai tha se ish-burri i motrës së të resë, u kishte marrë 2.5 milionë lekë të vjetra për të mundësuar fejesën midis tyre. Xhonit Potka i kishte premtuar të riut se do t’i bënte Martinën për nuse gjatë një takimi në një byrektore në Korçë. Nga ky moment kishin nisur edhe bisedat telefonike midis Martinit dhe Martinës dhe ky dyshohet që të jetë shkaku i vrasjes nga xhelozia të të riut nga Valter Mollaj, babai i tre fëmijëve.

E ëma e Martina Pajollarit ka mohuar akuzat se e bija është e përfshirë në vrasjen e Martin Çeços, duke pretenduar se policia i ka kërcënuar për të dhënë deklaratat dhe se kanë ushtruar dhunë ndaj 18-vjeçares. Miranda Pajollari deklaroi për mediat se 18-vjeçarja, si edhe tre të arrestuarit e tjerë janë të pafajshëm, duke pretenduar se mes Tinës dhe Valter Mollajt, nuk ka pasur lidhje intime. Ajo tregoi se Valter Mollaj e ndihmonte atë dhe familjen e saj, dhe se Martina është në moshën e vajzës së tij. Ndërsa tregoi se 18-vjeçarja është martuar dy javë më parë dhe dhëndrin e kanë në shtëpi.

“Martin Çeço i bëri ftesë, çupa nuk e pranoi, se çfarë na futën në këto ngatërresa. Dhe firmën që e hodhëm, pa shkollë jam, pa gjë. Firmë kot hodha. Nuk ka bërë gjë hiç, është e pafajshme, në polici na kërcënonin, na bënin. Erdhën na morën në 12:00 të natës, çupën e goditën, e rrihnin. Jemi të pafajshëm, ne dhe ata djemtë, na kanë ndihmuar, me bukë e ushqime. Janë shumë të pafajshëm, ata dhe çupa ime, nuk kanë bërë gjë. E kanë marrë një natë, e çuan tek vendi i krimit, ne nuk e dinim vendin. Qante, bërtiste çupa, nga kërcënimet i thoshte ato. Ne na ndihmonin për ushqimet se kam 4 fëmijë, për çdo gjë, ata e morën për tjetër, thanë që Tina kishte të dashur Valter Mollajn. Ka vajzën sa çupa ime. Burri e kërkon vajzën. Gjykata të më japë çupën, ta nxjerrin, jemi të pafajshëm, kot na kanë rënë në qafë. Na kërcënonin, na kanë mbajtur dy ditë atje. Tina është e martuar, e ka dhëndrin këtu. Ka dy javë çupa që është martuar. Ka ardhur këtu, ka bagëtitë në fshat, ngeli këtej dhëndri. Ky është në Vlorë”, tha Miranda Pajollari. /Panorama

Miranda dhe Martina Pajollari

Lexo me shume