Lufta në Ukrainë shtyn katër milionë fëmijë drejt varfërisë

Lufta në Ukrainë dhe rritja e inflacionit kanë shtyrë edhe katër milionë fëmijë drejt varfërisë në lindje të Evropës dhe Azinë Qendrore, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF.

Sipas raportit të publikuar më 17 tetor, ekziston një rritje prej 19 për qind e fëmijëve që përballen me varfëri.
Sipas UNICEF-it, kjo tregon se fëmijët “vuajnë më së shumti” nga konflikti.

Raporti është përpiluar pas mbledhjes së të dhënave nga 22 shtete.
Ndikimi i luftës ka qenë tejet i rëndë për fëmijët në Rusi dhe Ukrainë.
Në Rusi, 2.8 milionë fëmijë jetojnë në familje që gjenden nën linjën e varfërisë, sipas studimit.
Në Ukrainë, gjysmë milioni fëmijë jetojnë në varfëri, të përcjellë nga Rumania me 110.000 fëmijë shtesë.
Kjo rritje e mprehtë mund të rezultojë me 4.500 vdekje të fëmijëve para se të shënojnë ditëlindjen e parë, ka paralajmëruar UNICEF.
Drejtori rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore, Afshan Khan, ka thënë se pasojat ekonomike të luftës janë duke pasur ndikim shkatërrues te fëmijët.
“Fëmijët e gjithë rajonit po përfshihen në këtë luftë. Nëse nuk i mbështesim këta fëmijë, dhe familjet e tyre, rritja e shpejtë e varfërisë në mesin e fëmijëve do të rezultojë me humbje të jetëve, mungesë të mësimit dhe humbje të së ardhmes”.
Një në tre fëmijë që ka lindur dhe rritet në varfëri do të kalojë rininë në varfëri, duke çuar kështu në një cikël të vështirë, është thënë në studim.
“Ne duhet të mbrojmë dhe të zgjerojmë mbështetjen sociale për familjet e cenueshme, para se situata të bëhet më e rëndë”, ka thënë Khan.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel

Top ChannelLexo me shume