Manastiri i Mesopotamit në Sarandë, një nga perlat e arkitekturës bizantine

Në jug të fshatit Mesopotam në bashkinë e Sarandës, fare pranë qytetit antik të Finiqit, mund të vizitoni një nga perlat e arkitekturës bizantine në Shqipëri.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë ndau në rrjetet sociale pamje të mrekullueshme nga Kisha e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, e ndërtuar pranë rrënojave të qytetit antik të Finiqit, në një kodër piktoreske, mes dy lumenjve, lumit Bistricë dhe lumit Kalasë.
Kisha e Manastirit të Shën Kollit (Mesopotam) është një monument i trashëgimisë kulturore në qarkun e Vlorës. Ky monument është i llojit “Arkitekturë”, i miratuar me numër “Nr. 586. Datë 17.03.1948 & Nr. 4874, datë 23.09.1971”. Manastiri duhet të jetë ndërtuar në vitin 1224. Absida e dyfishtë e bën unike në zhanrin e saj, dhe disa kërkues kanë ngritur hipotezën që ky manastir mund të ketë qenë përdorur për mesha si katolike, ashtu dhe ortodokse.
Thuhet se në fillim ka ekzistuar një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ndërtuar kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku. Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues që kapin një sipërfaqe rreth 100 m dhe kontrollohen nga 7 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershëm sesa kisha që ekziston akoma. Dhomat e manastirit janë të ndërtuara më vonë.
Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera të mëdha. Muret e jashtme janë të ndërtuar nga gurë gëlqerorë të mëdhenj. Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive shtazore, gjithashtu dhe për zbukurimet me tulla të mureve të jashtëm. Zbukurimet murale janë në forma të ndryshme përmendim: një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ndodhet një kafshë mitologjike. Kisha ka një sallë të madhe brenda dhe dy të vogla. Mozaiku i sallës, i ruajtur akoma, paraqet një dragua krahëhapur.
Kisha ka pasur dy rindërtime, në vitet 1793 dhe 1845. Këto rindërtime e kanë ndryshuar shumë pamjen e kishës dhe mendohet që të ketë humbur shumë vlera.

Burimi