Manastirliu: Program bashkëpunimi me Fundjavën Ndryshe për punësimin e njerëzve në nevojë

Tiranë,12 Tetor- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerat Manastirliu gjatë një vizite në Qendrën e Solidaritetit Fundjavë Ndryshe, tha se do të zgjerohet më tej bashkëpunimi me “Fundjavën” në fushën shëndetësore dhe sociale, në ndihmë të njerëzve në nevojë.
“Ne kemi një program i cili po ecën shumë mirë, programin e përfshirjes së antarëve aktiv për punë në strukturën tonë të skemës së ndihmës ekonomike, të cilët duam që t’i angazhojmë me aftësimin profesional dhe në punësim.
Dhe së bashku me Qendrën e Solidaritetit folëm me Arbrin për të mundësuar që nëpërmjet Zyrës së Punësimit por edhe nëpërmjet Ndërmarrjeve Sociale dhe të strukturës së biznesit social të mundet që të angazhojmë në këtë Qendër të Solidaritetit, ata persona të cilët kanë mundësi për të punuar, janë pjesë e ndihmës ekonomike, por që nuk kanë aftësi profesionale për të patur një profesion nga i cili pastaj të përfitojnë dhe të munden që të integrohen në jetën sociale dhe ekonomike të vendit.”- tha Manastirliu.
Manastirliu tha se do të rritet bashkëpunimi me Fundjavën Ndryshe për ndihmën e grupeve të nevojë në Zall-Bastar dhe në zonat përreth.
“Programet tona sociale janë programe të cilat po zgjerohen dita ditës. Po zgjerohen nëpërmjet mbështetjes të nënave me shumë fëmijë, në kuadër të mbështetjes për të moshuarit e vetmuar, në kuadër të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar dhe mbi të gjitha në kuadër të mbështetjes të gjithë atyre që kanë më shumë nevojë dhe që duan që në një kohë të shpejtë të marrin qoftë shërbimin shëndetësor, qoftë shërbimin social por edhe të integrohen për punësim.”-tha Manastirliu.
Arbër Hajdari u shpreh se programi është një projekt i cili ju vjen në ndihmë familjeve më të varfra në kohërat më të vështira.
“Përmes kësaj qendre që tashmë prej dy vitesh që nga dita e parë që kemi ardhur, do të kemi mundësinë që ne si Fondacion të ofrojmë dhe disa shërbime të tjera ekstra për njerëzit në nevojë. Por kemi edhe disa projekte që do t’i ruajmë surprizë që do të jenë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që do të jenë në fushën e zhvillimit dhe hapjes së disa shërbimeve të reja për familjet që vijnë nga shtresat në nevojë.”-tha Hajdari.
Para disa muajsh u prezantua Nisma “Zinxhiri i solidaritetit” nga Ministrja Manastirliu si një iniciativë konkrete për të bashkërenduar veprimet në territor, në përgjigje të menjëherëshme të nevojave të individëve apo grupeve në nevojë, në partneritet mes institucioneve shtetërore dhe organizatave humanitare dhe zhvillimore që veprojnë në vendin tonë.

Lexo me shume